AKTUALITET, 2 Qershor 2019, 21:13

"Luftë" përballë Kuvendit, lëndohen protestues, policë dhe gazetarë

Është tensionuar protesta e opozitës, përballë Kuvendit të Shqipërisë.

Në drejtim të focave të policisë janë hedhur dhjetëra tymuese, flakadanë dhe kapsolla. Ndëra policia ka reaguar duke hedhur gaz lotjellës.

Mësohet se njëri prej kameramanëve është lënduar nga këto tymuese. Gjithashtu është plagosur një protestues, i cili është transportuar në gjendje të fikti drejt spitalit.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar në Twitter duke u shprehur se është lënduar një prej efektivëve.

“Një oficer policie është dëmtuar nga mjetet e ndaluara shpërthyese që hodhën protestuesit. Drejtuesit e protestave duket se kanë financa të mëdha për të blerë mjete shpërthyese të ndaluara, por edhe vullnet të plotë për të goditur forcat e rendit. I bëj thirrje Lulzim Bashës që të ndalojë sulmin ndaj forcave të Policisë së Shtetit!” – shkruan Lleshaj.

Për situatën e krijuar ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Presidenti i Republikës bën thirrje për vetëpërmbajtje, shmangien e incidenteve dhe provokimeve” –thuhet në reagimin e kreut të shtetit. Protestuesit kanë prishur gardhin metalik që ishte vendosur para Parlamentit. Kordoni i parë i policisë është tërhequr pas.