AKTUALITET, 15 Qershor 2021, 09:30

Pistoleta gati për qitje, publikohen pamjet e arrestimit të Edison Begajt, dy javë më parë iu bë atentat

Pistoleta gati për qitje, publikohen pamjet e arrestimit të Edison

Pas një operacioni blic në Lungomare të Vlorës, RENEA, FNSH dhe Policia e Shtetit arrestuan Edison Begajn të cilit dy javë më parë iu bë edhe një atentat.

Tashmë, policia ka bërë publike edhe pamjet nga momenti i arrestimit në Vlorë.

Policia njofton se pas kontrolleve në lagjen “Uji i Ftohtë”, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 38-vjeçarit Begaj u gjet një armë zjarri pistoletë, me një krehër me pesë fishekë, pa leje.

38-vjeçari Edison Begaj është një emër i njohur për drejtësinë, por edhe publikun sidomos në javët e fundit, pasi në 29 maj iu bë atentat dhe u qëllua me katër plumba.

Nga ky atentat Begaj mori katër plumba në gjymtyrët e poshtme të trupit, por mundi të shpëtojë.

Autori u largua nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është kapur.

Ndërkohë disa ditë pas ngjarjes një makinë e dyshuar se u përdor nga autori u gjet në afërsi të Lushnjes, ku brenda saj ishte edhe një uniformë si ajo e policisë.