AKTUALITET, 2 Prill 2019, 10:29

Mozambiku pushtohet nga kolera, BBC: Mund të kthehet në epidemi

Mozambiku pushtohet nga kolera, BBC: Mund të kthehet në epidemi

Vdekja e parë nga kolera u konfirmua në qytetin Beira të Mozambikut. Ky qytet, më 14 mars, u godit nga cikloni Idai, i cili shkaktoi përmbytje masive dhe vrau mbi 700 njerëz në pjesën jugore të Afrikës.

Që nga ajo kohë, mbi 500 raste të kolerës janë raportuar në Beira. Përpjekjet e ekipeve mjekësore në Mozambik janë përqendruar tani në frenimin e sëmundjes.

Një fushatë e madhe vaksinimi është në zhvillim e sipër. Numri i të prekurve me kolerë ka arritur në 517 të dielën, nga 271 sa ka qenë të shtunën, bëri të ditur drejtori kombëtar i Asistencës Mjekësore në Mozambik, Ussene Isse.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se së paku 900,000 doza vaksinash do të arrijnë këtë javë në Beira. Zyrtarët kanë paralajmëruar se shpërthimi i kolerës mund të arrijë përmasa epidemike, raporton BBC.

Qindra-mijëra njerëz janë zhvendosur pas ciklonit, duke u ekspozuar ndaj kushteve të dobëta të higjienës. Disa prej tyre kanë pasur pak ose aspak qasje në ujë të pastër të pijshëm për më shumë se një javë.