AKTUALITET, 2 Prill 2019, 10:34

Në spitalin e Fierit edhe operacionet kryhen tashmë me ‘koncesion’

Në spitalin rajonal të Fierit ka mbërritur në fillim të muajt mars një letër ku mjekëve u kërkohet të planifikojnë operacionet në bazë të kontratës koncesionare për sterilizimin e pajisjeve të kirurgjisë.

Sipas ‘Nisma Thurje’, që ka publikuar letrën, “duke qenë se Ministria ka hyrë në borxh me koncesionarin dhe ka probleme me buxhetin, tani po u kërkohet mjekëve që të operojnë më pak”.

Në letrën e Fondit të Sigurimit Shëndetësor për spitalin e Fierit thuhet: Të planifikojnë numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale (urgjente dhe të planifikuara) në përputhje me parashikimin e ndërhyrjeve në kontratën e koncesionarit si dhe vlerën e miratuar.”

Reagimi i plotë i ‘Nisma Thurje’:

Kur konçesioni është më i shenjtë se jeta e shqiptarëve.

Në vitin 2016, Edi Rama me duart e Ilir Beqajt vendosi të japë me konçesion sterilizimin e pajisjeve të kirurgjisë. Proçesi i sterilizimit më parë kryej nga vetë spitalet dhe kishte një kosto rreth 1500 lek për set kirurgjikal.

Sot, ne i paguajmë konçesionarit nga 17mijë deri në 37mijë lekë të reja për set kirurgjikal.

Pra rreth 20 herë më shumë për të njëjtin shërbim.

Duke qenë se Ministria ka hyrë në borxh me konçesionarin, i cili ka përfituar dhjetra miliona euro me të cilat jo vetëm kishim zgjidhur sterilizimin përjetë por kishim ndërtuar edhe një spital të ri, dhe ka probleme me buxhetin, tani po u kërkohet mjekëve që të operojnë më pak…

Edi Rama, a je në terezi?

Si mund të ketë kontrata me konçesionarin tënd më shumë vlerë se jeta e njerëzve?

Çfarë do i bëni gjithë këto miliarda që po u zhvasni shqiptarëve?

Ku do i çoni?

Nuk u ngopët?

Do vrisni tani?

Sepse kjo është vrasje me paramendim. Ti thuash mjekëve të mos operojnë sepse ti me Ilir Beqen keni firmosur një kontratë konçesionare totalisht korruptive…kjo është vrasje…

Boll! Ndal!