AKTUALITET, 2 Shtator 2020, 15:00

“Përzgjedhja e kandidatëve dhe hapja e partisë dy procese të ndara”, Salianji: Transparencë për çështjen e detit. Shqipëria nuk duhet të kafshojë gjuhën

“Përzgjedhja e kandidatëve dhe hapja e partisë dy procese


Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka folur në studion e News24 për situatën në vend për shkak të pandemisë por edhe për zhvillimet aktuale të politikës dhe ato brenda PD-së. Salianji tha në “Opinion” se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të PD-së është i ndarë nga ai i hapjes së partisë dhe se ky i fundit do të jetë në një moment të dytë.

“Ky nuk është një proces i hapjes së PD por i garës së brendshme dhe i konkurrencës brenda partiake. Janë rregullat të lojës për të konkurruar gjithsecili që është në një parti politike në këtë rast në Partinë Demokratike brenda disa rregullave të shkruara, të përcaktuara, të normuara etj. Hapja e PD-së do bëhet në një moment tjetër, me 20% që i është lënë vendimit të kryetarit të partisë por dhe kryesisë së partisë për të përfshirë njerëz nga bota akademike, nga shoqëria civile apo personalitete të ndryshme për t’u përfshirë në PD si një garanci për demokratizimin e partisë por edhe për të futur një pjesë të shoqërisë, e cila në një mënyrë më të drejtë, nëse do të konkurronte brenda partisë do ta kishte më të vështirë për t’u përfaqësuar. Janë dy procese të ndara nga njeri-tjetri. Ky është proces i rregullimit të garës. Vëmendja tregon dhe njëherë që PD shihet si shpresa e vetme dhe si një mundësi për të bërë presion për të zgjedhur kandidatët më të mirë për të qenë përfaqësuesit më të mirë”, deklaroi Salianji.

Sa i përket çështjes së detit dhe zgjerimit të Greqisë me 12 milje, Salianji tha se Shqipëria nuk ka 12 milje dhe i bie që kjo hapësirë ku do të shtrihet Greqia do të fitohet në dëm të Shqipërisë. Ai vuri theksin tek mungesa e transparencës.

“Këtu ka një shqetësim publik masiv, një shqetësim tek gjithë qytetarët dhe pa diskutim tek ne si opozitë për një tentativë, një përpjekje për t’u shitur si fitore, të paktën nga pala greke. Ish-kryeministri Cipras dhe ish-ministri i Jashtëm Kotzias, tani më dhe Kryeministri grek flasin për një fitore në det nga zgjerimi me 12 milje. Kështu që në një situatë ku në Shqipëri nuk ka 12 milje apo në kufijtë përballë Shqipërisë nuk ka 12 milje, i bie që këto milje apo kjo pjesë e tokës të fitohet në dëm të Shqipërisë. Ky është gjithë shqetësimi i joni si opozitë dhe i opinionit publik e ndaj kemi kërkuar transparencë dhe reagim nga qeveria. Kryeministri Rama ka folur sikur të jetë përfaqësues i palës greke, duke folur për të drejtën e Greqisë jo të Shqipërisë.

Duhet të kishte një transparencë të plotë se çfarë është arritur në marrëveshjen e diskutuar nga ekipi negociator që tani më do të ndryshohet. Në një frymë kur të paktën një prej negociatorëve është akuzuar si bashkëpunëtor i agjenturave të huaja mos të themi që të gjithë përfaqësuesit aty kanë qenë joprofesionist, joekspertë dhe nuk ka sot e kësaj dite asnjë dalje publike, asnjë hartë apo qartësim se çfarë kanë diskutuar”, tha ish-deputeti i PD.

Salianji deklaroi më tej se ‘ne jemi dy vende me marrëdhënie të mira fqinjësore dhe Greqia është një prej partnerëve straegjikë të Shqipërisë por askush sot nuk të falë tokë dhe det dhe Shqipëria duhet të bëjë gjithë pjesëën e saj dhe të mos e kafshojë gjuhën”.

“A ka interesa të kompanive ndërkombëtare për gaz natyror apo burime të tjera natyrore në territorin që kërkon Greqia? Pse e bëri sot Greqia shtrirjen me 12 milje dhe jo më përpara? Nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga ana e qeverisë shqiptare. Ne duhet të paraqesim se cili është qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe cilat janë pretendimet tona. Kjo nuk është një lojë lufte por mbrojtje e territorit të Shqipërisë. Pasi nuk iu realizua po themi një plan ogurzi për shkëmbim territoresh në Mitrovicë kalohet në Pazar trojesh në një vend tjetër”, u shpreh ai.

Për nisjen e vitit të ri shkollor, Salianji deklaroi se nuk ka asnjë plan të qartë për t’u hapur dhe duket sikur qeveria po përgatit terrenin për një mbyllje tjetër.

“Në çdo fushë qeveria e ka lëshuar qeverisjen. Nuk ka një plan të qartë për t’u hapur. Ne jemi që shkollat duhet të hapen por duhet të garantohet në mënyrë të qartë kush do ta bëjë planin, drejtoritë apo ministria. Si do ndahen klasat në dy pjesë kur të gjitha qytetet e mëdha kanë mbingarkesë në kushte normale.

Me sa shoh qeveria po përgatit terrenin për një mbyllje tjetër për shkollat”, tha ish-deputeti i PD.

Në lidhje me situatën në vend nga pandemia e COVID-19, Salianji tha se përhapja e madhe ka ardhur për shkak të mosgjurmimit fillestar.

“Ka një krahasim me të drejtë me gjithë botën duke qenë se kjo pandemi i kapi në mënyrë të papërgatitur të gjitha qeveritë. Shqipëria ka pasur më shumë kohë për t’u përgatitur. Ne në momentin fillestar patëm një numër të ulët të transmetimit dhe përhapjes së COVID-it. Qytetarët zbatuan masat, infektimi erdhi për shkak të qeverisë. Sot e kësaj dite për shkak të mosgjurmimit fillestar, kemi një përhapje të pandemisë në mënyrë të frikshme. Mijëra qytetarë dhe mijëra familje dhe njerëz që na kontaktojnë për të bërë testin dhe tamponin dhe mijëra që nuk bëjnë dot tamponin e dytë dhe janë të detyruar të rrinë në shtëpi. Qeveria nuk e paraqet realitetin që ka Shqipëria sot. Nuk nxjerr numrin real të të prekurve. Ishalla nuk kemi ndonjë degradim të situatës pasi po vjen vjeshta.

Nëse në gjithë botën kanë bërë kontrata apo parakontrata për vaksinën anticovid, Shqipëria nuk ka asnjë qëndrim”, tha Salianji.