AKTUALITET, 21 Shtator 2019, 17:27

Persona të plagosur rëndë nga tërmeti, ja çfarë po ndodh në Tiranë

Tërmeti i fuqishëm që goditi Tiranën këtë pasdite, ka sjellë edhe raportime e para për lëndime të qytetarëve,  krahas dëmeve materiale.

Deri më tani raporohen për dy persona të lënduar rëndë në fshatin Helmës të Tiranës.

Po në fshatin Helmes raportohet se janë shembur disa banesa.

Ndërkohë mësohet se të plagosurit po transportohen drejt spitalit në Tiranë.

Tërmeti i ndjerë ditën e sotme në Shqipëri, është më i fortë i 30 viteve të fundit. Kështu ka deklaruar IGJEUM.

Ky tërmet ka qenë 5.8 ballë, por me një intensitet prej 7.5 ballë. Sipas sizmiologut Rrapo Ormeni, pritet të ketë lëkundje të tjera, derisa të vendoset një ekuilibër dhe gjendja të stabilizohet.

Tërmeti e ka patur epiqendrën 30 kilometra në veri të Durrësit, pranë Kepit të Rodonit.

Lëkundjet kanë qenë shumë të forta në kryeqytet, por janë ndjerë në të gjithë Shqipërinë.

Raportohet se ka patur dëme të shumta, madje në një rast, një pallat është ndarë në dy pjesë në Durrës.

Çfarë duhet të bëni gjatë një tërmeti? 

Duhet të dilni urgjentisht nga banesa. Nëse nuk është e mundur, ndiqni hapat e mëposhtëm.

Sipas ekspertëve do të jeni të sigurt nga tërmetet nëse merrni këto 3 hapa themelorë:

-Uluni në tokë,

-Futuni nën një tavolinë,

-Qëndroni aty deri sa të ndalojnë dridhjet.

Nëse nuk ka një tavolinë pranë jush, shtrihuni në një cep të ndërtesës dhe mbuloni kokën e qafën me krahët tuaj. Mos u mundoni të shkoni në një dhomë tjetër vetëm për t’u futur nën tryezë.

Nëse jeni në shtrat, mos lëvizni por qëndroni aty, duke mbrojtur kokën me një jastëk. Ka më pak mundësi të lëndoheni duke qëndruar aty ku jeni. Gota e thyer nga tronditjet në dysheme ka shkaktuar lëndime për ata që janë ulur në tokë duke u përpjekur të dilnin nga dhoma.

Nëse je duke drejtuar makinën, gjej një vend për të parkuar. Shmangni mbikalimet, urat, linjat dhe rreziqet e tjera. Qëndroni brenda automjetit derisa dridhjet e tërmetit të kenë mbaruar.