TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Elson Gjoni, kirurg në Itali në një lidhje të drejtpërdrejtë ka folur në “Byro Politike”, me gazetaren Juli Xhokaxhi për situatën e vështirë të shkaktuar nga COVID-19.
Ai theksoi se situata në Itali po stabilizohet edhe pse numri i personave të prekur me koronavirus është ende i lartë.
Gjoni u shpreh se masat e marra kanë ndikuar në uljen e përhapjes së pandemisë, ndërsa theksoi se masat në Itali duhet të ishin marrë më shpejt për të mos u përballur me një numër të lartë të personave që humbën jetën.
“Lombardia ka gati 45% të personave infektuar dhe ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë, por ka një distancim konstant nga rritja që ishte në fillim. Indeksi i infeksionit është i rëndësishm.
Në fillim, në të gjithë Italinë një person infektonte 2.5 persona, ndërsa me masat e marra një person infekton një person tjetër.
Tani kemi një stabilizim edhe pse numrat duken ende shumë të larta kjo edhe për arsye se numri i të infektuarve që në fillim është shumë i lartë. 40% e tamponeve që bëhen janë pozitiv. Por, përse vazhdojnë të rriten rastet? Numrat janë rritur me rritjen e tamponeve. Kemi arritur në 8 mijë tampone në ditë”, theksoi Gjoni.
Gjithashtu ai u shpreh që me marrjen e masave të fundit nuk ka pasur më lëvizje nga veriu në jug.
Gjithë problemet që ka jugu janë lëvizjet e para. Rritja e jugut nuk ka rritjen që kishte Lombardia, pikërisht sepse u morën masa dhe u verifikuan më mirë.
“Në Lombardi kur u morën masat numrat e personave të prekur ishin shumë të larta. Edhe pse janë dyfishuar laboratorët nuk arrihet të kontrollohet një masë e lartë testimi. Stafet mjekësore po mundohen të gjejnë mënyra që të bëhen testime më të shpejta.
Mosha mesatare në Itali mbetet 79-vjeç, ndërsa shkalla e vdekshmërisë poshtë moshës 50-vjeç mbetet më pak se 1 %”, u shpreh ai.
Më tej ai theksoi se po vazhdon përdorimi i klorokinës, medikamentet që po përdoren premtojnë, por janë të gjithë në protokoll studimi.
“Ka akoma shumë pacientë, por me masat e marra ka një rënie. Sot kishim 165 të shtruar nga COVID-19.
Më parë vinin 10-15 pacientë në ditë dhe nuk i përballonin dot, ndërsa sot kemi një numër prej 3-4 persona.
Klorokina mbetet një nga medikamentet që po përdoret dhe po mundëson që pacientët të mos kalojnë në përkeqësim të situatës”.