AKTUALITET, 13 Shtator 2019, 17:44

Përplasja e makinës së policisë në Elbasan/ Prokuroria hesht për zhdukjen e DVD-ve

Përplasja e makinës së policisë në Elbasan/ Prokuroria

Gjykata e Krimeve të Rënda njoftoi ditën e djeshme se zhvendosja e dosjes së përplasjes së makinës së Policisë, është shoqëruar me humbjen e DVD-ve me pamjet e përplasjes.

Gjatë seancës u diskutua në lidhje me provat që disponohen ndaj Suel Çelës, një personazhi të botës së “nëndheshme” të krimit dhe të arrestuarve të tjerë pas incidentit me makinën e llojit “Audi” në tregun ushqimor të Elbasanit.

Gjykata ka dërguar një shkresë edhe në Prokurorinë e Elbasanit, për ta vënë në dijeni se këto DVD nuk ndodheshin atje, pasi ishin nisur në Prokurorinë për Krime të Rënda. Prokurori Behar Dibra tha se nuk mund të shpjegonte këtë situatë, duke shtuar se dosja ka lëvizur plot tri here: në Elbasan, në Prokurorinë e Përgjithshme e më pas te Krimet. Sipas konfirmimit të burimeve jozyrtare, ka nisur një proces verifikimi, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me provat.

Shfaqja këtyre e pamjeve filmike është ndër veprimet e fundit, përpara se organi i akuzës të shpallë pretencën për biznesmenin dhe miqtë e tij, Kelmend Xhaferri dhe Enea Bekteshi.

Videot mbeten provat e vetme e fortë kundër të pandehurve, por zhdukja në mënyrë të mistershme e tyre bën që të jenë të kontestueshme, edhe pse gjykata deklaroi se i ka rikuperuar.