TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vrasja e 65-vjeçarit Viktor (Marku) Bardhi, mëngjesin e së enjtes në fshatin Ndërfushas të Mirditës, vijon të mbetet pa autor. Policia, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, ka kryer një sërë veprimesh përgjatë 24 orëve, por deri tani pa mundur të zbardhë rrethanat dhe autorësinë e ngjarjes.
Burimet bëjnë me dije se rreth 10 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga grupi hetimor, mes tyre edhe anëtarë të fisit Reçi pasi po hetohet pista e mundshme e gjakmarrjeve për shkak të një konflikti të hershëm dhe hakmarrjes mes fiseve në Mirditë, ku në harkun kohor të tre viteve janë vrarë tre anëtarë të fisit Bardhi. Bëhet fjalë për Martin Bardhin, i ekzekutuar në Rrëshen në vitin 2023, dhe Kristjan Bardhin (Marku), i vrarë në Novoselë të Vlorës.
Pas dhënies së dëshmive, ata janë lënë të lirë, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar personat që mund të kenë dijeni apo lidhje me vrasjen.
Një prej vështirësive kryesore për hetuesit është mungesa e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja. Për këtë arsye, grupi hetimor po analizon pamjet filmike të kamerave në hyrje të qytetit të Rrëshenit, si dhe përgjatë aksit të Rrugës së Kombit, me qëllim identifikimin e lëvizjeve të automjeteve të dyshuara.
Nga të dhënat paraprake të hetimit, autorët dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe janë përpjekur të mos lënë gjurmë. Viktima, Viktor (Marku) Bardhi, u qëllua me armë zjarri, dyshohet me silenciator, rreth 1 kilometër larg banesës së tij në Ndërfushas. Pas atentatit, ata kanë djegur makinën në Munaz të Rubikut, rreth 10 kilometra larg vendgjarjes.
65-vjeçari ishte punonjës i Ujësjellësit të Mirditës dhe kishte dalë nga banesa për të hapur furnizimin me ujë të pijshëm në zonë. Makina e tij, Mercedes Benz e bardhë, u gjet e bërë shoshë nga plumbat.
Pavarësisht konfliktit të mëparshëm mes familjeve, 65-vjeçari vijonte të lëvizte i lirë dhe nuk kishte masa të veçanta mbrojtjeje.
![]()