AKTUALITET, 7 Mars 2020, 09:08

Përplasen dy makina në Laprakë, humb jetën pasagjeri, shoferi i dehur mashtron: Drejtues mjeti ishte viktima

Përplasen dy makina në Laprakë, humb jetën pasagjeri,


Mbrëmjen e djeshme ka ndodhur një aksident i rëndë në Laprakë, ku nga përplasja e dy mjeteve ka humbur jetën pasagjeri me iniciale F.A. Policia njofton se drejtuesi i mjetit me iniciale A.Ç, në të cilën ndodhej edhe viktima, ishte në gjendje të dehur.

Ky i fundit ka dhënë deklarim të rremë në Polici pasi ka deklaruar se drejtues mjeti ka qenë viktima.

Njoftimi i Policisë:

Nga Shërbimet e Policisë Rrugore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Ç., 30 vjeç, sepse më datë 06.03.2020, rreth orës 23:50, në rrugën “Dritan Hoxha”, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin është përplasur me një mjet me drejtues shtetasin A.S. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasi F.A., pasagjer në mjetin me drejtues shtetasin A.Ç.

Ky shtetas gjatë marrjes në pyetje ka dhënë deklarim të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore duke thënë se drejtues mjeti ka qenë shtetasi F.A.

Materialet u referuan pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor“, “Deklarim i rremë para oficerit të policisë Gjyqësore ” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ky është aksidenti i dytë brenda pak orësh që ndodh, pasi mbrëmjen e djeshme në autostradën Tiranë Durrës, një 21-vjeçare përplasi për vdekje një person. Kjo e fundit është shoqëruar në Polici.