AKTUALITET, 6 Tetor 2018, 20:24

Përgjimi i Babales/ A mund të shfajësohet Xhafaj përmes Arta Markut

Përgjimi i Babales/ A mund të shfajësohet Xhafaj përmes Arta

Prokuroria ka shpërndarë sot një lajm nëpër media sipas të cilit personazhi i njohur me emrin “Babalja”, Albert Veliu duhet të arrestohet, pasi ai e ka sajuar përgjimin e vëllait të ministrit të brendëshëm, Agron Xhafajt. Sipas të dhënave “të rrejdhura nga prokuroria ai e ka kryer këtë vepër në bashkëpunim me kunatin e vet Fredi Alizoti.

Menjëherë pas këtij lajmi ashtu sikurse pritej ka rishpërthyer beteja e deklaratave politike. Rama ka ironizuar edhe njëherë Bashën duke i thënë se e ka kthyer Shqupin në kinostudio, kurse ky i fundit ka folur seriozisht për vdekjen e shtetit ligjor.

Natyrisht nëse lajmi që e shpall përgjimin e Babales një manipulim do ishte i besueshëm kjo do qe një goditje e madhe për opozitën.

Por përpara se të besojmë këtë version të një prokurorie të varur nga politika duhet ngritur disa pikpyetje.

Si ka mundësi që sot organi i akuzës po i vë vulën të njëjtit version që qe shkruar që disa muaj më parë nga mediat pranë pushtetit, pra që Babalja e kishte bërë këtë montim se bashku me kunatin e tij dhe ky i fundit e ka treguar të vërtetën pasi nuk ka marrë paratë nga PD-ja?

Por edhe sikur dyshimi i hedhur më sipër të konsiderohet i besueshëm, pra se mediat kanë zbuluar para prokurorëve atë që ka ndodhur, kjo nuk është një garanci për panshëmërinë e hetimit.

Jo më larg se të enjten, Edi Rama, i ftuar në Real Story i tha publikut se shumë shpejt do të kishte lajme të reja nga telenovela Babale.

Ku e dinte kryeministri? Mos vallë Arta Marku, e votuar me votat e PS-së shkon e raporton tek ai para se të marri vendimet?

Por edhe kjo mund të kapërdihet. E dimë që jetojmë në një vend ku prokuroria kontrollohet nga politika dhe ajo ka privilegjin të njoftohet e para për ato që do të ndodhin.

Por edhe nëse nuk i quajmë skandal dy gjërat e përmendura më sipër, përsëri që Rilindja të bindë publikun, ka nevojë për goxha më shumë sesa pohimet e prokurorisë që kontrollon vetë.

Sepse kur shpërtheu skandali Babale, basti ishte tjetër. Vetë Rama dhe më pas Xhafa, pohuan publikisht se ata kishin në duar provën e një laboratori shkencor me famë ndërkombëtare. Vetë ministri i brendëshmë kreu ato ditë një turne takimesh me mbi 10 15 gazetarë të cilëvë u pohoi se kjo ekspertizë nga jashtë do të vinte, madje se ai nuk mund të konsiderohej i shfajësuar, nëse një raport i tillë i besueshëm nuk bëhet publik.

Në fakt, Lapsi.al e ka ndjekur kalvarin e këtij raporti që nuk po na vjen në duar.

Dhe për sa kohë ne nuk do të kemi të zbardhur një përgjigje nga një burim i besueshëm, prokuroria e Arta Markut mund të bëjë c’të dojë. Ajo mund të shpallë përgjimin të pavlefshëm, mund të arrestojë Veliun dhe kunatin, por nuk mundet kurrësesi, të bindë askënd se Fatmir Xhafaj është i pastër dhe se shefi i tij nuk gënjeu kur tha se kishte në duar provën se përgjimi qe një mapipulim./Lapsi.al