BALLKAN, 18 August 2026, 10:22

PDK bllokon Kryeministrinë, Kurti dhe aleatët e tij në Presidencë, opozita bojkoton takimin

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, po mban një takim konsultues lidhur me krizën politike në Kosovë.

Në këtë takim për çështjen e presidentit po marrin pjesë lideri i Vetëvendosjes, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, parti këto në koalicion me LVV-në si dhe përfaqësuesit e partive të minoriteteve jo serbe.

Ky takim po zhvillohet pa pjesëmarrjen e tri partive kryesore ish opozitare, PDK, LDK dhe Aleanca. Ata kanë bojkotuar duke lëshuar akuza edhe në drejtim të zonjës Haxhiu, me pretendimin se ashtu si Kurti, kanë uzurpuar postet e tyre publike.

Ndërkohë, ashtu si në ditët e kaluara, anëtarë dhe deputetë të PDK-së rrethuan kryeministrinë duke kërkuar rifillimin e seancës konstituive të ndërprerë.