BALLKAN, 15 August 2026, 12:47

Dyshohet se punonte për shërbimet sekrete serbe, del fotoja e Fehim Salit me Albin Kurtin! Qeveria shpjegon si u bë takimi

Një fotografi ku shfaqet Fehim Sali së bashku me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, është bërë pjesë e debatit publik pas arrestimit të Salit nën dyshimet për bashkëpunim me Shërbimin Inteligjent të Serbisë, BIA.

Fotografia është realizuar në ambientet e Kryeministrisë, gjatë një takimi të Kurtit me përfaqësues të organizatave që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kosovë. Sali ishte pjesë e grupit të pjesëmarrësve në takim.

Publikimi i fotos ka nxitur reagime dhe diskutime në Kosovë, me vëmendjen e përqendruar te fakti se Sali kishte qenë në një takim zyrtar me kryeministrin përpara arrestimit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, reagoi duke sqaruar se Kurti, gjatë mandateve të tij, ka zhvilluar dhjetëra takime me organizata të regjistruara që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.

“Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s'japim amnisti për askënd. Përkundrazi, institucionet e sigurisë, si Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), po zbulojnë gjithnjë e më shumë raste të dyshuara për spiunazh dhe për këtë meritojnë përgëzime”, deklaroi Manxhuka.

Qeveria ka theksuar kështu se një fotografi nga një takim institucional nuk përbën në vetvete dëshmi për ndonjë lidhje mes Kurtit dhe veprimtarisë për të cilën Sali dyshohet.