AKTUALITET, 6 Shtator 2021, 21:51

"PD të distancohet nga Berisha"/ Ish kryeministri komenton për herë të parë deklaratën e Sekretares për të Përndjekurit në PD, Jonila Godole

"PD të distancohet nga Berisha"/ Ish kryeministri komenton


Jonila Godole, Sekretarja e re për ish të Përndjekurit Politikë në PD, shkaktoi debate të shumta, kur sugjeroi se partia duhet të distancohet nga Sali Berisha, pas shpalljes së tij non-grata nga SHBA.

Ish kryeministri, e ka komentuar për herë të parë deklaratën e saj, duke thënë se aty ka një të pavërtetë, në lidhje me krahasimin me Helmut Kohl. Ndërsa lidhur me fshirjen e këtij lajmi nga "Rilindja Demokratike", Berisha e cilësoi një gabim censurimin e Godoles.

"Nuk cilësoj gabim deklaratën, gabim cilësoj heqjen e deklaratës. Nuk jam për censurë. Kam luftuar me shumë vendosmëri kundër censurës. Mund të them, se aty kishte një moment, kur bën një deklaratë duhet të jesh i vërtetë. Helmut Kohl, njeriu që kam adhuruar më shumë pas Churchill dhe De Gol, është kancelari më i madh i tokës gjermane, i’u gjet një llogari e fshehtë. Nëse Sali Berishës, do ti gjendet një llogari e fshehtë, cilado të jetë ajo, unë pranoj cdo gjë. Të krahasosh të pakrahasueshmen, në rrafshin substancial, ajo nuk qëndron. Atij ju gjet një llogari, kur nuk tregoi donatorin. Mirë bëri se të mëdhenjtë nuk tradhëtojnë, mori dënimin. Jo vetëm ai që u ndëshkua, por kryetari i CDU pas tij, dha dorëheqjen nga partia. Ndërsa në rastin konkret, aq sa mund të gjejnë eskimezë në shkretëtirë, do të mund të gjejnë ndonjë skandal të Sali Berishës", tha ai në Euronews.

Çfarë deklaroi Godole? 

E pyetur nëse është pjesë e demokratizimit të partisë edhe vendimi i ish-kryeministrit Sali Berisha për të qenë në parlament, ndonëse është shpallur ‘non grata’ nga SHBA, Godole deklaroi se ‘Vendimi i z. Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme.

Kjo do ta çojë PD përpara ose jo, këto janë kosto që do t’i mbajnë ata. Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjreman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund. Këto janë vendime që i marrin partitë vetë.

Këto janë modele që unë i kam sugjeruar. Nëse mua do më pyesin sot nga brenda PD, patjetër që do ta sugjeroj këtë dhe do flas hapur. Por kjo është pjesë e PD, duhet të tregojë se është vërtet një parti që e meriton të vijë në pushtet. Unë shpresoj shumë që PD të bëjë zgjidhjen e tyre. Sa i përket kauzës së të përndjekurve politikë, për fat të keq nuk ka një forcë tjetër politike këtu, përveç PD, që të jetë shprehur hapur dhe qartë se ai regjim ka qenë kriminal. Ai regjim ka qenë kriminal. Unë do mundohem që në pak vite të arrijmë të kemi një lloj paqeje, të kemi një transparencë të plotë për krimet e komunizmit dhe një kërkim faljeje reale’.

/TPZ.al/

LEXO EDHE:

https://www.tpz.al/2021/09/06/sali-berishen-nuk-e-ndal-shpallja-non-grata-te-premten-shkoj-ne-parlament-do-te-mbroj-sovranitetin-e-shqiperise/