AKTUALITET, 6 Shtator 2021, 17:04

Strehimi i afganëve/ Kurti bisedë telefonike me Blinken: SHBA shprehu mirënjohjen ndaj Kosovës!

Strehimi i afganëve/ Kurti bisedë telefonike me Blinken: SHBA shprehu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken lidhur me ndihmën që Kosova ka ofruar në strehimin e afganëve të cilët janë evakuuar nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin e vendit.

“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me SHBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, tha Kurti përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Ai shtoi se Sekretari Blinken i ka shprehur Kosovës mirënjohjen në emër të presidentit amerikan, Joe Biden për bashkëpunimin dhe ndihmën.

Më 2 shtator edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një bisedë telefonike me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris.