TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Partia Demokratike nuk do të jetë sot në seancë plenare për të kundërshtuar buxhetin e vitit 2019 të sjellë në Parlament nga maxhoranca.
Por paralelisht me Parlamentin, Partia Demokratike ka thirrur një seancë paralele me grupe interesi, që preken drejtpërdrejt nga buxheti i sjellë nga shumica.
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, do të drejtojë takimin në të cilin janë ftuar të marrin pjesë shoqata të biznesit, biznesmenë, grupe interesi, fermerë, pronarë dhe përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë.
Opozita e ka kundërshtuar buxhetin e sjellë nga maxhoranca në Parlament, duke kujtuar se ndryshe nga se është premtuar, borxhi publik është rritur akoma më shumë. Në takimin e sotëm, edhe një herë kreu i PD-së, Lulzim Basha, pritet të paraqesë alternativën e opozitës për rritjen ekonomike dhe fuqizimin e sektorëve të veçantë.
PD ka premtuar një plan për subvencione në sektorin e bujqësisë, me 150 milionë euro në vit gjatë qeverisjes së saj. Sipas Bashës, kjo skemë subvencionesh do të shkojë te çdo familje fermere në bazë të prodhimit të tyre.
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, ka theksuar se me projektin “1 miliard euro”, qeveria dhe maxhoranca ndërmori nismën që do të shkatërrojë arkat e shtetit shqiptar dhe paratë publike si asnjëherë më parë.
“Skemat e dështuara dhe të konfirmuara si dështim të PPP-ve u çuan në një stad tjetër, duke përfshirë në një skemë piramidale gjithë buxhetin e shtetit.
Sot Shqipëria ka një borxh publik 71% të PBB-së, ndërsa vetëm PPP-të e dhëna deri më tani përbëjnë 12% të PBB-së. Këto skema janë kontrata e përjetshme që qeveria ka lidhur me oligarkët për të kaluar përjetësisht paratë e shqiptarëve në xhepat e tyre dhe më pas xhepat e qeveritarëve”, u shpreh Tabaku.