AKTUALITET, 10 Tetor 2019, 09:38

PD publikon videon: Shoqërohen zërat kryesorë të protestës te Unaza e Re. Gratë mblidhen për protestë

PD publikon videon: Shoqërohen zërat kryesorë të


Banorë të Unazës së Re janë shoqëruar mëngjesin e sotëm nga policia. Lajmi është publikuar nga PD, e cila ka shpërndarë për mediat edhe video nga momenti kur forca të policisë kanë kryer shoqërimin e disa prej banorëve.

“Banorët e Unazës së Re njoftuan se janë shoqëruar në polici disa nga zërat kryesorë të protestës. Edhe në këto momente policia është atje, ndërsa gratë po mblidhen tek vendi i protestës",-njofton PD.

Ndërhyrja e policisë vjen pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri penal që ka ashpërsuar nenin për bllokimin e rrugës, i cili parashikon deri në tre vite burg për çdo person që bllokon rrugën fizikisht.

Sipas ndryshimeve, vënia e pengesave ose ndalimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Ashpërsimi i këtij neni mendohet t’i japë zgjidhje edhe situatës në unazën e re ku prej muajsh banorët bllokojnë çdo pasdite rrugën në shenjë proteste kundër projektit të atij aksi.