AKTUALITET, 13 Mars 2018, 22:39

Pasioni i fshehur i Gramoz Ruçit për pikturat, vendos portretin e tij në Kuvend

Një pjesë e politikanëve bëjnë shpenzime groteske me fondet publike. I tillë është ai i kryebashkiakut të Vlorës i cili bleu një pasqyrë shumë të shtrenjtë për zyrën e tij. Por kësaj here, është Gramoz Ruçi, i cili duket se ka autorizuar bërjen e një tenderi që zbulon edhe një pasion të fshehtë të tij, atë për pikturat.

Sipas dokumentave që disponon Tpz.al, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender për të bërë disa piktura. Procedura e prokurimit është me vlerë të vogël, rreth 3.3 milionë lekë të vjetra me objekt “blerje pikturë, portret”. Mësohet se tenderi është bërë në datën 12 mars 2018.

Në relacionin shpjegues, thuhet se Gramoz Ruçi kërkon dy piktura, të cilat do të jenë portret i tij. Gjithashtu, kryetari i Kuvendit ka shprehur dëshirën edhe për dy piktura të tjera, të stilit natyrë e qetë ose peisazhe të përshtatshme për zyra shteti.

Kryetari Ruçi ka vendosur si kusht, që studio e artit ose piktori në vetvete, që do të marrë përsipër të kryejë këto portrete, të ketë eksperiencë dhe të ketë punuar më parë në fushën e pikturës dhe të kornizave. Kërkohet eksperiencë pune mbi 10 vite në fushën e pikturës dhe të kornizave të drurit.

Mësohet se afati i realizimit të shërbimit  do të jetë 30 ditë pune. Pra, kryetari i Kuvendit, i kërkon shumë shpejt pikturat, për t'i vendosur në godinë.

Tpz.al prej disa muajsh, gjurmon tenderat shtetëror, sesi ato përdoren nga politikanët, a shpenzohen për të rritur mirëqënien personale apo shoqërore? Deri tani rezulton se politikanët shpesh harxhojnë me dhjetra milionë lekë për tu kujdesur për mirëqënien e tyre. Dikush blen një makinë të shtrenjtë, një tjetër kompleton zyrën me një arredim bashkëkohor, apo ndonjë tjetër blen aksesorë të kushtueshëm.

Por a i shërbejnë këto tendera qesharakë qytetarëve shqiptarë, në një kohë kur INSTAT ngre alarmin për rritjen e papunësisë në 5 qarqe të vendit?/TPZ.AL/E.H/