AKTUALITET, 17 Mars 2019, 20:10

Partizani triumfon ndaj Teutës, titulli kampion më pranë

Kush mendonte se Partizani do të gabonte përsëri, do të jetë zhgënjyer sot, pasi të kuqtë kanë mundur pa shumë probleme 3-0 Teutën dhe kanë likuiduar një rival direkt për titullin, ndërsa kanë krijuar edhe më shumë distancë nga Kukësi i vendit të dytë.

Gabimi i verilindorëve të shtunën ishte një mundësi e artë të cilën skuadra e Gegës e ka shfrytëzuar në maksimum, duke dominuar përballë durrsakëve në ndeshjen e sotme dhe duke vulosur thuajse që në pjesën e parë fitoren e tre pikëve me golin e Telushit dhe të Hilës.

Në pjesën e dytë, kur pritej reagimi i Teutës, ai nuk ka ardhur dhe të kuqtë kanë rrezikuar disa herë portën e Hidit derisa gjetën edhe golin e rezultatit përfundimtar 3-0 me Çinarin që i sheh të shkojnë në pushimin e kampionatit me një diferencë të thellë pikësh, 9 të tilla, nga Kukësi që i ndjek dhe me të cilin do të luajnë në javën e ardhshme.