AKTUALITET, 17 Mars 2019, 19:58

Al Jazeera, kronikë për protestën e opozitës: Kryeministri akuzohet si i lidhur me krimin

Al Jazeera, kronikë për protestën e opozitës: Kryeministri

Al Jazeera i ka kushtuar një kronikë prej rreth tre minutash protestës së fundit të opozitës të mbajtur gjatë ditës së djeshme në tiranë.

Sipas kësaj mediaje prestigjioze protestuesti bëjnë thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama.

Ajo raporton se 20 000 protestues u përpoqën të hynin në parlamentin e Shqipërisë dhe se policia u përgjigj me makina ujë-hedhëse dhe gaz lotsjellës.

“Mbështetësit e opozitës shqiptare kanë luftuar me policinë ndërsa përpiqen të futen në parlament për t’u përballur me një qeveri të cilën e akuzojnë se është e korruptuar. Ata gjithashtu thonë se Kryeministri Edi Rama është i lidhur me krimin  e organizuar, akuzat që ai hedh poshtë si “qesharake”, shkruan ndër të tjera Aljazeera përkrah videos (Kliko këtu për të parë videon) e cila pasqyron protestën.

Gazetari John Psaropoulos i cili ka ndjekur nga afër  zhvillimet më të fundit në Tiranë, ka zhvilluar një intervistë me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha, në intervistën e tij, ndër të tjera shprehet se, “qeveria që është e lidhur me botën e krimit ka aq para sa të kontrollojë edhe zgjedhjet elektorale”.

Ai shprehet gjithashtu se, qeveria kontrollon gjithçka, pushtetin, ekonominë, policinë, sistemin gjyqësor etj.

“Është bërë e mundur që njerëzit e krimit të organizuar të jenë pjesë e Parlamentit shqiptar dhe kryetarë bashkish. Shteti është i kapur nga krimi i organizuar”.

Në reportazhin e tij nga Tirana, gazetari i Al Jazeera shprehet ndër të tjera se mijëra të rinj shqiptarë detyrohen të lenë vendin çdo vit për të kërkuar punë në vende të tjera.

“Cila do të jetë e ardhmja e Shqipërisë? Kjo është një pyetje në mendjet e njerëzve duke parë që procesi politik po ecën në ujëra të paqarta”.