AKTUALITET, 16 Prill 2019, 16:01

Lajm i keq për shqiptarët/ Parlamenti Hollandez voton për kthimin e vizave me Shqipërinë

Lajm i keq për shqiptarët/ Parlamenti Hollandez voton për kthimin


Një lajm mjaft i keq për shqiptarët vjen nga Hollanda. Parlamenti i këtij vendi, ka votuar në shumicë, që ti propozojë Komisionit Europian, rikthimin e vizave me Shqipërinë.

Pesë parti në parlamentin hollandez, kanë sëbashku 92 deputetë të cilët kanë votuar pro rikthimit të vizave me Shqipërinë, nga 150 deputetë në total. Partia VVD, CDA dhe CU janë tre nga katër partitë e qeverisë.

Hollanda është pjesë e zonës Schengen dhe për këtë arsye, vendimi për të rikthyer vizat me një vend, bëhet me konsensus.

Arsyet e këtij vendimi, lidhen me aktivitetin kriminal të mafias shqiptare në Hollandë. Sipas parlamentarëve hollandezë, mafiozët shqiptarë, duke keqpërdorur lëvizjen e lirë, po zmadhojnë rrjetet e tyre të trafiqeve.

Ky votim mjaft shqetësues për Shqipërinë, është injoruar deri në këto momente nga qeveria shqiptare dhe ende nuk ka asnjë deklaratë apo koment lidhur me të. Gjithashtu, kryeministri Rama, në mënyrë të përsëritur e ka nënvlerësuar problemin e kriminalitetit dhe bandave shqiptare në Europë, duke u shprehur se ai është në nivele të ngjashme me popujt e tjerë.

Votimi i parlamentit Hollandez, është gjithashtu një sinjal, se Hollanda pritet të votojë kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.