TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti Ilir Meta, u ka kërkuar autoriteteve që në muajin gusht, që të marrin masa për të përballuar situatën, në rast të një tërmeti të mundshëm, madje ka ofruar të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të kuptuar se cilat janë aftësitë e Shqipërisë për të përballuar një tërmet me fuqi të madhe.
Edhe pse tërmeti nuk parashikohet, autoritetet kanë mundësi të marrin masa për të përballuar një situatë të rëndë, siç ndodhi në 26 nëntor, ku 50 persona humbën jetën në mënyrë tragjike dhe qindra të tjerë u plagosën.
Përmes një letre, Meta u ishte drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për të kërkuar informacion mbi aftësitë e vendit për të përballuar një emergjencë të tillë.
Veç kësaj letre të Presidentit, autoritetet kanë qenë në alert edhe për shkak të një tërmeti 5.7 ballë që goditi Shqipërinë në Shtator, por sërish është evidente se nuk janë marrë masa për të përforcuar shërbimet emergjente, apo për të larguar me çdo kusht qytetarët nga banesat e dëmtuara rëndë.
/TPZ.al/
Letra e Metës drejtuar autoriteteve në gusht:
Të nderuar,
Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës.
Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.
Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.
Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:
Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?
Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.
Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?
Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë.
Presidenti i Republikës
Ilir Meta