AKTUALITET, 26 Nëntor 2019, 16:18

Dhjetëra të vdekur nga tërmeti shkatërrues, përse qeveria nuk po shpall gjendjen e emergjencës?

Dhjetëra të vdekur nga tërmeti shkatërrues, përse

Tërmeti  me magnitudë 6.3 ballë i shkallës rihter, ka shkaktuar dhjetëra viktima dhe qindra të plagosur në Shqipëri. Goditja e fortë mëngjesin e sotëm, ka paralizuar të gjithë vendin dhe ende vijojnë operacionet e shpëtimit sepse ka persona që gjenden nën rrënoja.

Është e pakuptueshme përse qeveria shqiptare nuk po shpall gjendjen e emergjencës, në një situatë kaq të rëndë dhe me pasoja kaq tragjike, një nga më të rëndat në 30 vitet e fundit në vendin tonë.

Pas shpalljes së emergjencës, të gjitha veprimet e organeve shtetërore rregullohen nga ligji për emergjencat civile. Në nenin 1 ky ligj thotë:

“Planëzimi dhe përballimi i emergjencave civile janë detyra të shtetit shqiptar që synon: parandalimin, pakësimin dhe riaftësimin nga çdo dëmtim që prek popullatën, gjënë gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin nga emergjencat civile”.

Pra nëse qeveria e shpall gjendjen e emergjencës, ligji e imponon një dëmshpërblim në masën 100 për qind të çdo dëmi që prek popullatën.

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i ka bërë thirrje kryeministrit të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme menjëherë dhe të mbështesë operacionet e emergjencës.

"Nga Durrësi përsëris thirrjen ndaj qeverisë për të mos u vonuar asnjë çast me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe për të mbështetur operacionet e emergjencës me bazë materiale adekuate", shprehet Basha.

Situata paraqitet mjaft dramatike në Thumanë dhe Durrës.

Liderë të vendeve europiane janë solidarizuar me Shqipërinë dhe kanë dërguar ndihma dhe ekipe emergjence. Kosova ka qenë vendi i parë që ka reaguar, duke dërguar ekipe shpëtimi dhe 500 mijë euro.

/TPZ.al/