BOTA, 10 Qershor 2018, 20:34

Paralajmërimi i fortë i Erdogan

Paralajmërimi i fortë i Erdogan

Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan akuzon Austrinë se po kërkon të nisë një kryqëzatë të re botërore kundër Islamit. Gjatë një aktiviteti kulturor në Stamboll, Erdoan reagoi ashpër ndaj vendimit të qeverisë austriake për të mbyllur disa xhami e dëbuar dhjetëra imamë.

“Druhem se hapat që po ndërmerr kancelari austriak e çojnë botën drejt një kryqëzate të re. Ju bëni gjëra të tilla dhe mendoni se ne nuk do të reagojmë? Kjo do të thotë se edhe ne duhet të ndërmarrim disa hapa”.

Të premten, kancelari austriak Sebastian Kurc bëri publik urdhrin për të mbyllur 7 xhami dhe për të dëbuar 150 shtetas të huaj, mes të cilëve imamë, sëbashku me familjarët e tyre. Xhamitë financoheshin nga disa organizata turke e arabe, të dyshuara për lidhje me grupime radikale islamike.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të acaruara prej vitit të kaluar, kur Vjena pengoi mbështetësit e Erdoanit të bënin fushatë mes komunitetit turk në Austri për referendumin presidencial në Turqi.

Analistët mendojnë se Erdoan po e shfrytëzon mbylljen e xhamive turke në Austri për të forcuar mbështetjen popullore përpara zgjedhjeve të përgjithshme 24 Qershorit, e zbehur për shkak të problemeve të theksuara ekonomike që kanë ulur fuqishëm vlerën e monedhës kombëtare Lirës.

Tv Klan