AKTUALITET, 25 Mars 2019, 16:19

‘Pakti për Universitetin’/Studentët nxjerrin pikat e paplotësuara: Do të rinisim protestat masive

‘Pakti për Universitetin’/Studentët nxjerrin pikat e

Pas takimit të sotëm që kryeministri Edi Rama, zhvilloi me pedagogë dhe studentë në kuadër të ‘Paktit për Universitetin’, Lëvizja për Universitetin ka paralajmëruar protesta si pasojë e premtimeve të paplotësuara.

Me anë të një postimi në Facebook, Lëvizja për Universitetin shkruan se gjatë takimit me studentët, Rama rikujtoi se qeveria nuk ka ndër mend t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.

Për të mbështetur pretendimin e tyre, ata kanë shtjelluar edhe 5 pika të cilat sipas tyre nuk janë konkretizuar pas premtimeve të bëra nga Rama.

Pikat e nxjerra nga Lëvzja për Universitetin:

1. Në vend të uljes së tarifave në të gjitha nivelet, ai propozoi investime imagjinare në universitete. Pa plan, pa shifra e pa afate.

2. Në vend të demokratizimit të universiteteve duke u dhënë fuqi të barabartë studentëve dhe pedagogëve, ai ripohoi pushtetin e bordeve të kontrolluara nga qeveria.

3. Në vend të fuqizimit të studentëve në kontrollin e pedagogëve abuzues – nga mitmarrja e shitja e detyruar e librave te plagjiaturat – ai premtoi se do të fusë ruspën shtetërore në universitet. Jo për të ndryshuar situatën, por për të zëvendësuar bajraktarët që nuk kontrollon me bajraktarë të bindur.

4. Në vend të rritjes së buxhetit të shtetit për universitetet publike, ai u kërkoi këtyre të fundit të themelojnë firma tregtare për të mbuluar vështirësitë financiare.

5. Në vend të rrëzimit të ligjit klientelist të arsimit të lartë, ai la të kuptohet se pronarët e diplomoreve private do të vazhdojnë të fusin duart në buxhetin e varfër të universiteteve publike.

Sipas Lëvizjes, në kushtet të tilla studentëve nuk u mbetet veçse të rifillojnë procesin e riorganizimit në bazë fakulteti për të nisur së shpejti një zinxhir protestash masive.

“Kjo qeveri dhe ky sistem politik marrin vesh vetëm gjuhën e fuqisë dërrmuese të shumësisë studentore dhe qytetare,”- shkruhet më tej në reagimin e Lëvizjes.

Postimi i plotë:

Studentët dolën në protestë në fillim të muajit dhjetor për të kundërshtuar kushtet në të cilat ndodhej sistemi arsimor në Shqipëri. Për disa javë rrjesht ata protestuan fillimisht para Ministrisë së Arsimit dhe më pas para kryeministrisë duke kërkuar plotësimin e 8 kërkesave. Më pas ata u larguan duke paralajmëruar një rikthim të protestave masive në rast se qeveria Rama nuk do t’i plotësonte kërkesat e dorëzuara. Rama publikoi edhe “Paktin për Universitetin”, ku garantohej plotësimi i pikave të parashtruara, një pjesë e studentëve sërish janë shprehur se nuk do të ulen në një tryezë të përbashkët me kryeministrin në rast se ky i fundit nuk do të plotësojë kërkesat. Pas protestave të studentëve Rama ndryshoi edhe një pjesë të kabinetit të tij qeverisës, mes tyre edhe ministren e Arsimit, Lindita Nikolla e cila u zëvëndësua nga Besa Shahini.