AKTUALITET, 21 October 2026, 13:44

'Pa shërbime shtetërore'/ Regjistër për të dhunshmit, qeveria, gati paketën: Ndalim hyrjeje në BE, kufizime në hotele e transport! Prindërit e të miturve paguajnë dëmet

'Pa shërbime shtetërore'/ Regjistër për të

Qeveria pritet të prezantojë shumë shpejt një paketë masash për të frenuar protestat e dhunshme dhe për të ndëshkuar personat që sulmojnë policinë apo shkatërrojnë pronën publike dhe private.

Personat e përfshirë në akte dhune do të regjistrohen në një regjistër të posaçëm. Qeveria po punon edhe për një listë të zezë në sistemin TIMS, për tu ndaluar protestuesve të dhunshëm hyrjen në vendet e Bashkimit Europian. Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me përfaqësues të bankave tha se ka nisur bashkëpunimi me vendet e BE. Parashikohen gjithashtu kufizime të aksesit në hotele, trena dhe mjete të tjera transporti.

Prindërit do të detyrohen të paguajnë dëmet materiale të shkaktuara nga fëmijët e tyre gjatë protestave. Rama paralajmëroi edhe ndërprerjen e shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që djegin pronën e të tjerëve. Qeveria po shqyrton gjithashtu uljen e moshës së përgjegjësisë penale, aktualisht 14 vjeç.

Studentëve të përfshirë në akte dhune ndaj policisë do t'u hiqen bursat dhe mbështetja financiare nga shteti. Për nxënësit që braktisin mësimin për t'u përfshirë në akte dhune qeveria po shqyrton masa administrative, ndërsa mësuesit që nxisin nxënësit drejt akteve të dhunshme rrezikojnë largimin nga sistemi arsimor.

 
Pjesëmarrja në protesta me fytyrë të mbuluar synohet të konsiderohet shkelje e ligjit. Qeveria paralajmëron investime në teknologji për të identifikuar protestuesit e maskuar, si dhe personat që fshihen pas profileve anonime në rrjetet sociale dhe nxisin dhunë.

“Ne jo vetëm do të nxjerrim një orë më parë paketën e masave, por duke investuar me shpejtësi në teknologji, ne do të fillojmë deanonimizimin e profileve që nxisin dhunë. Duke investuar me shpejtësi në teknologji, ne do t'i zbulojmë ata që janë me kapuç, edhe sikur të rrinë me kapuç, edhe sikur ta mbulojnë të gjithë fytyrën, sepse do t'i ndjekim këmba-këmbës. Do t'i ndjekim këmba-këmbës përmes syve të teknologjisë”, tha Rama.

 Rama paralajmëroi një paketë masash ndaj protestuesve të dhunshëm, duke nisur nga kufizimi i shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që shkatërrojnë pronën e të tjerëve, deri te ndalimi i aksesit në aeroporte, hotele dhe mjete transporti.

Rama tha se qeveria ka nisur bashkëpunimin me vendet e Bashkimit Europian për t’u kufizuar hyrjen personave të përfshirë në akte dhune. Ai paralajmëroi gjithashtu përdorimin e teknologjisë për identifikimin e protestuesve të maskuar.

“Ata që u turrën me gurë e me zjarr mbi banka, me një skenar djallëzor për të nxitur panik, ndërkohë që në sportelet e bankave nuk kanë asgjë për të marrë, duke shkulur ATM-të për të marrë brenda tyre para. Ndërkohë që ato janë në shërbim të të gjithëve dhe duhet të kthehen një orë e më parë. Ne do të nxjerrim paketën e masave, por duke investuar me shpejtësi në teknologji, do të nisim anonimizimin e profileve që nxisin dhunë. Do t’i zbulojmë ata që janë me kapuç, edhe sikur të rrinë me kapuç, edhe sikur ta mbulojnë të gjithë fytyrën, se do t’i ndjekim këmba-këmbës, përveç syve të teknologjisë.

Largohuni nga ajo dhunë një orë e më parë. Do të vijë fatura në familje, do të paguajë familja. S’do të marrë shërbim nga shteti familja e një të mituri që vjen dhe djeg pronat e një tjetri. Ne do të vendosim në regjistër njerëzit e dhunshëm, do t’u mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, hotele, trena, të gjitha mjetet e transportit. Dhe do të bashkëpunojmë, dhe e kemi nisur punën me vendet e BE-së, për t’u ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm. Dhuna s’ka për të pasur vend në këtë vend. Dialogu, shkëmbimi i ideve, ballafaqimi demokratik, ulja në tryezë për të gjetur rrugë të reja, të cilat mund të na shërbejnë, siç na shërbyen në protestën e 2018-ës", tha Rama. 

Një tjetër propozim që po studiohet është ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.

Masat që paralajmëron qeveria për frenimin e protestave të dhunshme

1. Kufizimet e udhëtimit dhe aksesit në shërbime
- Krijimi i një regjistri të posaçëm me emrat e personave të përfshirë në akte dhune gjatë protestave
- Hartimi i një liste të zezë në sistemin TIMS për personat e përfshirë në akte dhune
- Bashkëpunim me vendet e BE-së për t'u ndaluar hyrjen personave të identifikuar si të dhunshëm
- Kufizimi i aksesit në aeroporte, hotele, trena dhe mjete të tjera transporti
2. Masat ndaj të miturve dhe familjeve të tyre
- Detyrimi i prindërve për të paguar dëmet materiale të shkaktuara nga fëmijët e mitur gjatë protestave.
- Kufizimi i shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që djegin ose shkatërrojnë pronën e të tjerëve.
- Shqyrtimi i mundësisë për uljen e moshës së përgjegjësisë penale, aktualisht 14 vjeç.
3. Masat në arsim
- Heqja e bursave dhe mbështetjes financiare shtetërore për studentët e përfshirë në akte dhune
- Masa administrative për nxënësit që braktisin mësimin për t'u përfshirë në protesta të dhunshme
- Largimi nga sistemi arsimor i mësuesve që nxisin nxënësit të marrin pjesë në akte dhune
4. Ndalimi i maskimit dhe identifikimi i protestuesve
- Ndalimi me ligj i pjesëmarrjes në protesta me fytyrë të mbuluar.
- Përdorimi i teknologjisë për identifikimin e protestuesve të maskuar që kryejnë akte dhune.
5. Kufizimi i rrjeteve sociale
- Shqyrtimi i ndalimit të përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç