AKTUALITET, 17 August 2026, 21:03

“Ozempic-u i natyrës”, suplementi që po bën namin në rrjet. A funksionon vërtet?

Nga kreatina te magnezi, thuajse çdo verë sjell një suplement të ri që pushton rrjetet sociale. Këtë herë vëmendjen e ka marrë psiliumi (psyllium husk), një produkt i pasur me fibra që prej vitesh përdoret për shëndetin e sistemit tretës, por që tani po promovohet edhe për kolesterolin, sheqerin në gjak dhe humbjen në peshë. Madje, në rrjetet sociale disa e kanë pagëzuar si “Ozempic-u i natyrës”.

Psiliumi prodhohet nga farat e bimës Plantago ovata dhe pjesa më e madhe e prodhimit vjen nga Azia Jugore, veçanërisht nga shtetet indiane Gujarat, Madhya Pradesh dhe Rajasthan.

Edhe pse fama e tij në internet është relativisht e re, specialistët e shëndetit të zorrëve e rekomandojnë prej kohësh si burim fibrash për personat që kanë probleme me tretjen. Interesi vjen në një moment kur fibrat po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje: rreth 96 për qind e popullsisë në Mbretërinë e Bashkuar nuk arrin objektivin e rekomanduar prej 30 gramësh fibra në ditë.

Popullariteti i psiliumit shihet qartë edhe në rrjetet sociale. Në TikTok numërohen më shumë se 26,500 postime nën etiketën “psyllium husk”, ndërsa në Instagram ka rreth 63,300 postime të tjera që lidhen me produktin.

Çfarë ndodh kur psiliumi futet në organizëm?
Një nga karakteristikat kryesore të psiliumit është përmbajtja e lartë e mucilazhit, një lloj fibre e tretshme që, në kontakt me lëngjet, krijon një masë të ngjashme me xhelin. Pasi arrin në stomak dhe zorrë, fibra thith ujë, duke ndihmuar në zbutjen dhe rritjen e volumit të jashtëqitjes.

Pikërisht ky proces mund të ndihmojë kundër kapsllëkut dhe fryrjes së barkut, përfshirë te disa persona që vuajnë nga sindroma e zorrës së irrituar (IBS).

Nutricionistja dhe specialistja e shëndetit të zorrëve Marilia Chamon thotë se e përdor prej kohësh psiliumin me klientët e saj, veçanërisht me ata që kanë IBS, dhe e konsideron shumë efektiv për këtë kategori.

Por mënyra se si konsumohet ka rëndësi. Psiliumi duhet marrë me sasi të mjaftueshme uji. Rekomandohen afërsisht 500 ml ujë për çdo 20 gramë fibra. Chamon paralajmëron se konsumimi pa lëngje të mjaftueshme mund të krijojë rrezik mbytjeje, ndërsa hidratimi i pamjaftueshëm mund të rrisë edhe rrezikun e bllokimit gastrointestinal.

Për ta bërë më të lehtë konsumimin, disa e përziejnë xhelin e psiliumit në smoothie me fruta pylli të ngrira, kos, mjaltë dhe qumësht. Një mënyrë tjetër është përzierja me lëng shege për të krijuar një masë të ngjashme me reçelin, e cila mund t'i shtohet kosit me granola dhe fruta të freskëta.

Jo vetëm për tretjen
Interesi shkencor për psiliumin nuk kufizohet vetëm te shëndeti i zorrëve. Studimet kanë shqyrtuar edhe ndikimin e tij te kolesteroli dhe niveli i sheqerit në gjak.

Një analizë e vitit 2018, e cila përfshiu 28 prova dhe kryesisht persona me kolesterol të lartë, zbuloi se konsumimi i 10 gramëve psilium në ditë për të paktën tre javë shoqërohej me ulje të LDL-së, të njohur zakonisht si kolesteroli “i keq”.

Edhe një përmbledhje studimesh e publikuar në vitin 2024, e fokusuar kryesisht te njerëzit me diabet të tipit 2 ose probleme të lidhura me të, arriti në përfundimin se marrja e psiliumit ulte nivelet e sheqerit në gjak.

A është vërtet “Ozempic-u i natyrës”?
Kjo është pjesa që ka nxitur më shumë interes në internet. Arsyeja e krahasimit është se si psiliumi, ashtu edhe medikamentet GLP-1 mund të ndikojnë në ndjesinë e ngopjes. Por ngjashmëria praktikisht përfundon këtu.

Sipas Chamon, mekanizmat janë të ndryshëm. Fibrat e psiliumit ngadalësojnë tretjen dhe në këtë mënyrë mund të ndihmojnë që një person të ndihet i ngopur për më gjatë. Medikamentet GLP-1, nga ana tjetër, janë barna që veprojnë mbi hormonet që kontrollojnë oreksin.

Dhe kur bëhet fjalë konkretisht për humbjen e kilogramëve, provat shkencore nuk e mbështesin idenë se psiliumi funksionon si një alternativë ndaj këtyre medikamenteve.

Një përmbledhje e provave shkencore e vitit 2020, që përfshinte të rritur mbipeshë dhe obezë, nuk gjeti ndonjë efekt më të madh të psiliumit krahasuar me placebo në peshën trupore, indeksin e masës trupore (BMI) apo perimetrin e belit.

Pra, pavarësisht nofkës tërheqëse “Ozempic-u i natyrës”, psiliumi mbetet para së gjithash një burim fibrash, me përfitime të dokumentuara në fusha të caktuara, por jo një version natyral të barnave GLP-1.