AKTUALITET, 17 August 2026, 20:24

“Persona të paidentifikuar kanë dhunuar protestues, policia të bëjë detyrën”/ Aktivistja Vatnikaj: Asnjë incident nuk mund të na përçajë!

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, duke folur në protestën e 79-të kundër establishmentit, u shpreh se shqiptarët të bashkuar mund të shembin klasën politike 36 vjeçare, ndërkohë që ngriti shqetësime për dhunë ndaj protestuesve. 

“Jemi në ditën e 79-të të protestës, pas tre ditëve të mrekullueshme të Diasporës që iu bashkua protestës. Protestë po zhvillohen në dhjetëra qytete anembanë Shqipërisë, protestë po zhvillon Diaspora me një thirrje boll me këtë klasë të korruptuar dhe të inkriminuar. Sot në shesh na mbledh një thirrje “Rama në burg Berisha në burg”. Ky shesh është bërë sheshi i bashkimit të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve që vendi të mos qeveriset më nga autokratë dhe deputetë të inkriminuar.

Persona të paidentifikuar kanë dhunuar disa protestues gjatë marshimit, një person tjetër është futur me një mjet të fortë…për këtë dhe incidente të tjera të ngjashme ftojmë të siguroni kushtet që protesta të jetë paqësore. Policia e Shtetit të bëjë detyrën. Megjithë incidentet e vazhdueshme të inskenuara e të financuara nga pushteti në ikje, ky shesh e ka thënë fjalën dhe ka treguar se beson te bashkimi i shqiptarëve. Dhe ky shesh e ka treguar se beson te revolta qytetare e paqësore. Çdo incidenti i themi se nuk mund të na përçani se kjo është një luftë për një Shqipëri të lirë nga modeli i dhunës”, tha ajo.