AKTUALITET, 17 August 2026, 14:29

Zjarri në Lufaj përhapet drejt Matit, flakët avancojnë në drejtim të zonave të banuara

Situata e zjarrit të rënë në fshatin Lufaj vijon të paraqitet problematike, ndërsa vatra ka kaluar në territorin e Bashkisë Mat, në zonën e njohur si “Qafa e Sharrit”. Sipas informacionit mbi situatën, perimetri i zjarrit shtrihet nga “Qafa e Sharrit” deri në Shpellën e Valit, në një sipërfaqe pyjore të përbërë kryesisht nga dushqe dhe shkurre, si dellenjë, krifshë, shkozë dhe bimësi tjetër.

Terreni i vështirë po favorizon përhapjen e flakëve dhe po e bën të komplikuar ndërhyrjen e forcave nga toka. Pjesa më e madhe e zonës është shkëmbore, çka nuk lejon hapjen e korridoreve për izolimin e materialit djegës dhe krijimin e brezave mbrojtës. Perimetri i zjarrit vlerësohet rreth 5-6 kilometra dhe, për shkak të terrenit të thyer, izolimi dhe shuarja e plotë e flakëve konsiderohen të mundshme kryesisht përmes ndërhyrjes nga ajri.

Aktualisht, vatra po avancon në drejtim të fshatit Koder-Laç dhe Lagjes Gjestila, në fshatin Bruç, pjesë e Njësisë Administrative Rukaj, në Bashkinë Mat. Përhapja e zjarrit në këtë drejtim ka rritur shqetësimin për zonat e banuara, ndërsa vijon monitorimi i situatës dhe nevoja për ndërhyrje të specializuar nga ajri për të frenuar avancimin e flakëve.