AKTUALITET, 14 Janar 2019, 13:14

Nuk justifikonte pasurinë, ngec në rrjetën e vettingut kreu i Gjykatës së Kurbinit

Nuk justifikonte pasurinë, ngec në rrjetën e vettingut kreu i

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra kryetarin i Gjykatës së Rrethit Kurbin, Alfred Gjoni.

Gjyqtari rezulton me probleme sa i takon deklarimeve të pasurisë. ILDKPI thotë në raport se subjekti ka bërë deklarim të pasaktë pasurie pasi nuk ka burime të ligjshme për t’i justifikuar, ka fshehur pasurinë dhe ka bërë deklarim të rremë të saj.

Probleme shfaqen lidhur me një apartament 60 m2 i blerë 1.9 mln lekë në vitin 2001 për të cilat ka deklaruar si burim shitjen e disa pronave në Laç, por sipas KPK-së subjekti nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme, ndërsa edhe vetë çmimi i deklaruar i blerjes është më i ulët se ai i tregut.

Gjithashtu, në pasurinë e gjyqtarit Gjoni, rezulton edhe një apartament 47 m2, për të cilin ka mospërputhje me vitin e ndërtimit të kësaj shtese dhe mungesë burimesh financiare.

Ky apartament nuk është deklaruar në shpenzimet në vitet 2003-2006.

Gjoni ka një apartament në Durrës të cilin nuk e ka deklaruar dhe nuk ka deklaruar as burimin e ligjshëm të të ardhurave. Subjekti nuk ka deklaruar as 3 automjete të tij dhe as një udhëtim në Bruksel.

Po ashtu mospërputhje deklaratash ka edhe për një hua që subjekti i ka dhënë një personi tjetër.

Sa i përket aftësive profesionale, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka paraqitur një raport të 6 çështjeve, ku gjyqtari ka patur sjellje jo korrekte.