AKTUALITET, 14 Janar 2019, 13:04

SHBA shuplakë Kosovës: Pezulloni menjëherë taksën ndaj Serbisë

SHBA shuplakë Kosovës: Pezulloni menjëherë taksën ndaj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në mënyrë të ashpër ndaj taksës së vendosur nga qeveria Haradinaj dhe të mbështetur nga Edi Rama për produktet që importohen nga Serbia dhe nga Bosnja.

“Nuk shohim ndonjë përfitim të Kosovës nga vendosja e taksës prej 100 për qind për mallrat serbe” thuhet në dokumentin që ambasada amerikane në Prishtinë ua ka dorëzuar krerëve më të lartë të shtetit. SHBA ka kërkuar nga Qeveria pezullimin e vendimit për taksën, “në mënyrë që t’i jepet shans arritjes së marrëveshjes”.

“Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar prej lidershipit të Kosovës në mënyrë të përsëritur që të pezullojë menjëherë taksën për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Siç kemi thënë, ne nuk shohim ndonjë përfitim të Kosovës nga këto masa.

Ne fuqishëm inkurajojmë ripërtëritjen e fokusimit në qëllimet thelbësore të Kosovës- të ardhmen evropiane dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka cituar dokumentin Ambasada amerikane, në një prononcim për “Koha Ditore”.

Ndërsa Klan Kosova ka raportuar informacione edhe më të detajuara. Sipas saj raportohet SHBA ka kërkuara heqjen e menjëhershme të taksës e cila “mund të rivendoset në rast se dështon marrëveshja me Serbinë“.

Sipas të njëjtit dokument të cituar nga Klan thuhet se “Kosova për momentin e mban barrën e rrezikimit të dështimit të dialogut“, se “Nëse tarifa reflektohet urgjentisht, SHBA-të do të ndërpresë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK“, se “arritja e marrëveshjes është interes strategjik i SHBA-ve, prandaj është e papranueshme për vënia në pikëpyetje e këtij qëllimi strategjik nga ana e veprimeve të papërgjegjshme të liderëve kosovarë”.

Ajo mbyllet me kërcënimin i cili duket se ka mbërritur kulmin pas letrës që Trump i dërgoi presidentit Hashim Thaçi se “Kosova me sjelljet e saja të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të” e cila nuk është e pakushtëzueshme.

Kjo letër shumë e ashpër drejtohet më shumë kundër spektrit të gjerë të kundërshtarëve të marrëveshjes për shkëmbim territoresh me Serbinë. Targeti i saj kryesor duket se është kryeministri Haradinaj që këmbënguli për vendosjen e taksës. Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama e përkrahu atë duke e quajtur një manovër politike që do të bënte Beogradin të reflektonte.