AKTUALITET, 31 Tetor 2019, 23:38

Një supergol lë të shtangur Berishën, Milanin e nderon Suso

Një supergol lë të shtangur Berishën, Milanin e nderon Suso

Milani ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme në javën e 10 të Serisë A italiane, duke mundur minimalisht skuadrën e SPAL-it. Të besuarit e Piolit, arritën të fitonin me rezultatin 1-0, aty ku vendosi goli i shënuar nga Suso në pjesën e dytë.

Në një ndeshje ku titullar ishte edhe Berisha, Milani e ka kërkuar golin si në pjesën e parë ashtu edhe në pjesën e dytë duke e dominuar takimin. Në minutën e 63, Suso ka marrë përsipër ekzekutimin e një goditjeje dëmtimi duke e çuar topin në kuadrat, aty ku Berisha as nuk e mori mundimin të reagonte.

Ndërkohë, kjo fitore e ngjit Milanin në kuotën e 13 pikëve ndërkohë që SPAL-i i Berishës po vuan dhe e sheh veten në vendet e fundit. Milani vjen në këtë ndeshje nga një humbje ndaj Romës dhe duket se kjo fitore ka rikthyer qetësinë në kamp.