AKTUALITET, 24 Korrik 2018, 20:59

“Një makiato 180 lekë dhe pa kupon”, pas denoncimit reagojnë Tatimet: Subjekti u penalizua për...

Pas denoncimit të gazetarit të “Panorama” Juxhin Mustafaraj, ka ardhur dhe një reagim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Në një njoftim zyrtar Tatimet shkruajnë se është penalizuar subjekti i cili nuk kishte lëshuar kuponin tatimor.

Gjithashtu subjektit iu sekuestruan pajisjet jofiskale dhe malli. Procedurat do t’i përcillen Drejtorisë Rajonale Tatimore Vlorë për veprime të mëtejshme.

 

Njoftimi i plotë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes strukturave të saj të specializuara të Hetimit Tatimor është duke monitoruar dhe kontrolluar nga afër zonat turistike në të gjithë vendin.

Administrata Tatimore shpreh bindjen se për të luftuar informalitetin, por edhe për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit veror, është e nevojshme ndihma dhe bashkëpunimi i publikut dhe tatimpaguesve.

Në këtë kuadër, referuar të dhënave të strukturave të Hetimit Tatimor Rajoni Jugor, gjatë aksionit të ndërmarrë në zonën e Himarës u penalizua subjekti Irid Suli (Via Mare) me vendndodhje në Livadh për “moslëshim kuponi tatimor” ( hera e parë). Subjektit iu sekuestruan pajisjet jofiskale dhe malli. Procedurat do t’i përcillen Drejtorisë Rajonale Tatimore Vlorë për veprime të mëtejshme.

Drejtoria e Përgjitshme e Tatimeve, falënderon qytetarët dhe i fton të bashkëpunojnë në luftën kundër informalitetit, duke refuzuar pagesat nëse nuk ju jepet kuponi tatimor.

Për këtë qëllim, Administrata Tatimore ka vënë në dispozicion: numrin e gjelbër pa pagesë 0800 14 14, adresën elektronike: [email protected] Gjithashtu mund të dërgohen mesazhe, foto apo filmime në numrin 069 70 73 733.