AKTUALITET, 25 Nëntor 2019, 22:36

Një ditë, të gjithë mund të jemi aty poshtë, në këmbët e një shteti që të denigron!

Një ditë, të gjithë mund të jemi aty poshtë,

Nga Kristi Pinderi

Një personazh i botës së spektaktlit që nuk është vetë-identifikuar asnjëherë si gej, u arrestua teksa ishte duke kryer marrëdhënie seksuale me një burrë. Policia e akuzon për dy vepra penale, atë të prostitucionit dhe atë të shfrytëzimit të prostitucionit. Kaq sa për kronikën e ngjarjes.

Cfarë vjen më pas është jo më një kronikë tutorësh edhe punonjësish seksi, por kronika e një shoqërie që tashmë e ka të pamundur të dallojë se çfarë është moralisht e gabuar dhe çfarë nuk duhet normalizuar. Eshtë e njëjta kronikë ku mund ti fusësh brenda gjitha padrejtësitë e fundit apo të vjetra të këtyre 30 viteve.

Vija e qartë që e ndan këtë kufi morali është zbehur edhe holluar aq shumë, sa për shembull, dje askush nuk u trondit pse fotot e këtij djalit të sapo arrestuar, lakuriq, me duart e kryqëzuar e të prangosura, i shtrirë në këmbët e policëve të veshur civilë, u shpërndanë nga policia drejt e në media. Kemi probleme më të mëdha, apo jo? Ka aq shumë fronte padrejtësie sa fotot e njërit që ka qejf dalë vetë lakuriq në media, këto fotot e këtij pra, c’na hyjnë neve në punë?!

Kë fotografuan policët dhe kë botuan mediat?

Ishte gjë tutori i prostitutave?

Apo ishte prostituta vetë e shtrirë në këmbët e shtetit?

Ishte b…q… që del në televizor edhe sfidon pritshmëritë sociale?

Apo ishte personazhi i spektaklit në një moment dobësie?

Ishte i riu që nuk punon, e pastaj shkel ligjin?

Pra, ishte i pamoralshmi?

Apo ishte i pafati që u kap (e sipas një rregulli të pashkruar, po nuk dite të ruhesh e meriton të kapesh)?

C’pjesë të shoqërisë shqiptare pamë në ato foto dje? C’pjesë, apo c’kënd të moralit shoqëror shqiptar?

Meqë nuk pretendoj dot të flas për të gjithë, po them cfarë pashë unë.

Pashë një shoqëri që është shtyrë edhe është rrëzuar përtokë, krejt lakuriq, mu në këmbët e një shteti që dështimin e vet moral kërkon ta projektojë te ca individë që nuk mbrohen dot, apo që i ka vënë përposhtë.

Pashë një shoqëri që e kupton, por nuk do t’ia dijë më se, kur shkelen të drejtat e një individi të vetëm, kur ai individ vihet përposhtë në mënyrë demontrative vetëm sepse pushteti ka mundësi ta denigrojë, vetëm sepse balanca e pushtetit anon nga ai që është më i pakontrollueshmi sepse i kemi humbur tashmë levat për ta kontrolluar, atëherë rradha është e të gjithëve.

Nëse drejtësia është një kompromis që bëjmë për të hequr dorë nga ca liri apo tundime për të bërë si duam, me synimin që një entitet më i madh se ne, edhe jashtë nesh, në këtë rast shteti ynë, të na mbrojë, atëherë pashë aty te këmbët e policëve jo Hermes Nikajn, por gjithë shqiptarët, pavarësisht vlerave morale individuale, apo pavarësisht besimeve a sistemit kulturor individual.

Njëri pas tjetrit, që të gjithë, mund të jemi aty poshtë, në këmbët e një shteti që të denigron, sepse ka mundësi të të denigrojë.

Dje Hermesi, nesër ti.

Pasnesër të gjithë!