TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Partia Demokratike ka hedhur sot hije dyshimi ndaj integritetit të SPAK dhe anëtarëve të tij.
Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka publikuar sot dy foto, dokumente të dalë në media në lidhje me dy anëtarë të SPAK.
Bardhi ka publikuar dokumentin për drejtuesin e SPAK, Arben Kraja, si hetues politik në kohën e komunizmit dhe foton ku anëtari i SPAK, Altin Dumani është me Ulsi Manjën.
Deklarata e plotë e Gazmend Bardhit:
Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ka komentuar procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të prokurorëve të SPAK, duke patur bindjen se integriteti i kësaj strukture duhet të ruhet në çdo rast.
Edhe pse disa prej anëtarëve janë zgjedhje ekskluzive e Qeverisë dhe i kanë shërbyer Partisë Socialiste, ne zgjodhëm të japim mbështetje publike për të gjithë trupën, pa i paragjykuar, duke patur si objektiv strategjik ruajtjen e integritetit të SPAK-ut dhe moscënimin e besimit të publikut tek kjo strukturë, sepse përmes së cilës u është premtuar shqiptarëve lufta kundër krimit të organizuar dhe ndëshkimi i korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare.
Por Partia Demokratike nuk mund të qendrojë indiferente ndaj 2 fakteve të rënda, të bëra publike nga media online, që venë në dyshim serioz integritetin e kësaj strukture!
Një dokument i Korrikut 1990, i bërë viral ditën e djeshme, ka zbuluar se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike, duke i shërbyer regjimit diktatorial deri në grahmat e tij të fundit.
Partia Demokratike ka bindjen se një ushtar i diktaturës më të egër në Europë, që dënon qytetarët me motivacionin “për dëmtim të moralit komunist”nuk mund të jetë shërbëtor i shtetit të së drejtës. Përveçse një hetues i diktaturës, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja, është propozuar nga PS si zëvendëskryetar i KLSH dhe ka punuar në Kryeministri për qeverinë e PS.
Fakti i dytë i rëndë, edhe ky i bërë publik nga media online, është takimi një ditë para votimit, i Prokurorit Altin Dumani me përfaqësuesin e Partisë Socialiste, Ulsi Manja.
Altin Dumani ishte një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e SPAK dhe ky takim, siç analizon me të drejtë media, për të marrë në KLP votat e kontrolluara nga njëri prej klaneve në Partinë Socialiste, vendos në pikëpyetje profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.
Minimalisht prokurori Dumani ka detyrimin t’i sqarojë opinionin publik motivin e takimit me Ulsi Manjën, një ditë përpara votimit në KLP.