AKTUALITET, 20 Mars 2020, 15:55

Nga 25 marsi reduktohen oraret për supermarketet, guvernatorët thirrje kryeministrit Conte: Të mbyllen ndërmarjet dhe zyrat deri më 1 maj

Nga 25 marsi reduktohen oraret për supermarketet, guvernatorët thirrje

Koronavirusi në Itali po bën kërdinë, pasi brenda 24 orëve atje janë shënuar mbi 400 viktima ku deri më tani numri i të vdekurëve ka shkuar në 3405.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte mësohet të ketë thënë se mbyllja e vendit do të shkojë të paktën deri më 1 maj. Dhe gjithashtu masat dhe rregullat për qytetarët duhet të ashpërsohen edhe më shumë ka thënë ai.

Ndërkohë guvernatorët italianë të çdo rajoni kanë kërkuar nga Conte edhe më siguri dhe masa të forta për vendet e prekura nga koronavirusi.

Massimiliano Fedriga, përgjegjës për rajonin e Friuli Venezia Giulia ka urdhëruar mbylljen e të gjitha dyqaneve gjatë fundjavës, përveç farmacive.

Attilio Fontana, guvernatori i rajonit të Lombardisë, tha: “Rajoni ynë është Wuhan i Italisë. Aktivitetet e prodhimit dhe transporti publik duhet të ndalen, shumë njerëz lëvizin akoma në rrugë. Gjithashtu duhet të mbyllen zyrat dhe shumë veprimtari të tjera tregtare".

Ndër të tjera Fontana ka kërkuar ndërhyrjen e ushtrisë dhe ndërprerjen e “të gjitha aktiviteteteve ekonomike” pasi sipas tij, shumica e numrit të infeksioneve janë identifikuar në Brescia dhe Bergamo, aty ku zhvillohen edhe shumë aktivitete biznesesh.

Ndërkohë pritet që masat e reja të shpallen nga qeveria italiane më 25 mars në përgjigje të emergjencës nga koronavirusi.

Italia ngelet një nga vendet më të prekura, pasi aty numri i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në 3.405. Ndërsa në SHBA kanë humbur jetën 217 persona. Në Greqi deri më tani kanë humbur jetën 7 persona dhe në Francë ka 372 viktima. Të infektuar ka edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Gjermani dhe në shumë vende të Europës. Në Shqipëri 70 persona janë infektuar me COVID-19 dhe 2 prej tyre ka humbur jetën.