Gjatë ditës së sotme rreth orës 16:30 minuta, do të jetë ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin bashkë me kryeministrin Edi Rama, që do të bëjnë publike raportin për hapjen e negociatave, raport i cili do t’i dërgohet edhe Presidencës dhe Kuvendit.
Ndërkohë, pasditen e së sotme , në Tiranë mbërrin zonja Mogherini, e cila do të darkojë me kryeministrin Rama. Takimet e saj zyrtare do të zhvillohen gjatë ditës së mërkurë, ku në orën 11:00, ajo do të ketë një konferencë shtypi me kreun e qeverisë, Rama.
Ndërkohë, kryediplomatja e BE-së do të ketë takime edhe me Presidentin e Republikës, Ilir Meta si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në këtë takim, do të jetë e pranishme edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Por cilat janë 5 pikat kyçe të Raport Progresit për çeljen e Negociatave?
Shqipëria dhe Maqedonia mund të nisin negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa abuzimet me të drejtat e njeriut do ta lënë sërish në pritje Turqinë.
- Ruajtja dhe thellimi i këtij momenti reformash në fushën kyç të sundimit të ligjit, e veçanërisht 5 prioriteteve kryesore, dhe rezultatet e vazhdueshme, konkrete e të prekshme në rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, pra procesi i vetingut, do të jenë vendimtare për progresin e mëtejshëm të vendit.
- Në mbështetje te kesaj, vazhdon dokumenti, Komisioni Europian do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave mbi gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit.
- E njëjta formule sipas EUObserver do të përdoret dhe për Maqedoninë, por rekomandimi është fillimisht për Shqipërinë. Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor i tha gjigandit mediatik gjerman DË se po të implementohet siç duhet reforma e thellë shqiptare e gjyqësorit, ajo do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar mes shteteve në procesin e zgjerimit, e ndoshta edhe më serioze se në rastin e disa vendeve anëtare të BE.
- Në vlerësimet e tij Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
- Në fillim të vitit, kryetari i KE-së, Jean-Claude Juncker e pat pohuar se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës.