TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Politikani estonez Siim Kallas, ish-kryeministër i Estonisë, ish-ministër i Jashtëm dhe Financash, si dhe ish-komisioner evropian, ka ndërruar jetë të premten në mbrëmje. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme.
“Me trishtim njoftoj se babai im i dashur, Siim Kallas, ndërroi jetë mbrëmë”, shkroi Kaja Kallas në rrjetet sociale, duke e shoqëruar njoftimin me një fotografi me të atin.
Siim Kallas ishte një nga figurat e rëndësishme të politikës estoneze në periudhën e tranzicionit nga sistemi sovjetik drejt një Estonie të pavarur dhe të integruar në strukturat evropiane.
Ai shërbeu si kryeministër i Estonisë nga viti 2002 deri në vitin 2003, ndërsa më herët kishte mbajtur postet e ministrit të Jashtëm dhe ministrit të Financave.
Gjatë periudhës sovjetike, Kallas ishte anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ai ishte gjithashtu ndër autorët e një plani për vetëqeverisjen ekonomike të Estonisë, së bashku me Tiit Made, Edgar Savisaar dhe Mikk Titma. Plani parashikonte një shkallë të lartë të pavarësisë ekonomike nga Bashkimi Sovjetik, kalimin drejt ekonomisë së tregut, si dhe krijimin e një monedhe dhe sistemi tatimor estonez.
Pas rikthimit të pavarësisë së Estonisë në vitin 1991, Kallas u emërua guvernator i Bankës së Estonisë, institucion që në atë periudhë kishte vetëm 11 punonjës.
Karriera e tij politike nisi në vitin 1994, kur ishte ndër themeluesit e Partisë së Reformës Estoneze, një forcë liberale që pati sukses në zgjedhjet parlamentare të vitit 1995.
Në vitin 1995, Kallas mori detyrën e ministrit të Jashtëm, post që e mbajti deri në vitin 1996. Më pas, nga viti 1999 deri në vitin 2002, shërbeu si ministër i Financave, përpara se të bëhej kryeministër.
Roli i tij politik u shtri edhe në nivel evropian. Kallas ishte komisioner evropian nga viti 2004 deri në vitin 2014, fillimisht përgjegjës për administratën, kontrollin dhe luftën kundër mashtrimit, ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2014 mbajti postin e komisionerit për Transportin.
Pas largimit nga Komisioni Evropian, Kallas u rikthye në politikën vendase dhe në vitin 2016 kandidoi për president të Estonisë, por nuk arriti të zgjidhej. Në tetor të vitit 2017 mori detyrën si kryetar i Bashkisë Viimsi.
Ai dha dorëheqjen si deputet dhe u tërhoq nga politika në shtator të vitit 2024.
Vdekja e Siim Kallas vjen ndërsa vajza e tij, Kaja Kallas, mban një prej posteve më të rëndësishme të politikës së jashtme evropiane, si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë.