TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pak para 35-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, mbërriti me një tren special për një vizitë solidariteti në Kiev.
Pas mbërritjes së tij ai dënoi sulmet gjithnjë e më të shpeshta ruse me dronë dhe raketa, duke e akuzuar Moskën për "vrasje të verbër të civilëve” si edhe për shkatërrim të qëllimshëm të infrastrukturës energjetike.
"Ne qëndrojmë në krah të Ukrainës. Ne e mbështesim atë. Ajo do ta fitojë këtë përballje ushtarake”, tha Wadephul.
Gjatë javëve të fundit Rusia i ka intensifikuar sulmet e saj ndaj vendit fqinj. Në shënjestër të forcave të armatosura ruse është edhe infrastruktura civile.
Wadephul sheh "shenja dobësie” të Rusisë
Rusia synon të shkatërrojë bazat e jetesës së njerëzve në Ukrainë dhe në këtë mënyrë t'ua thyejë vullnetin për qëndresë, tha Wadephul. Sipas tij muajt e verës korrik dhe gusht kanë qenë më vdekjeprurësit për popullsinë civileukrainase gjatë më shumë se katër vjetëve.
"Rusia nuk ka hedhur kurrë më parë kaq shumë raketa ndaj Ukrainës”, tha ai.
Ai e siguroi Ukrainën për mbështetjen e mëtejshme nga Gjermania. Wadephul shprehu shpresën se në këtë mënyrë Rusia mund të lëvizë drejt negociatave për paqe. Sipas tij gjithnjë e më shumë njerëz në Rusi po e kuptojnë se vazhdimi i luftës vetëm sa e çon vendin më thellë në rrënim ekonomik.
"Propaganda gjithnjë e më e çrregullt dhe shtypja gjithnjë e më totalitare, po ashtu brenda vendit ka gjithashtu shenja të dobësisë së regjimit. E vetmja rrugëdalje është paqja. Që Putini më në fund ta pranojë këtë dhe të ndalojë së dërguari edhe të rinjtë e vendit të tij drejt vdekjes në mijëra raste, ky është qëllimi i të gjitha masave tona”, tha Wadephul.
Prandaj, sipas tij, asnjë vend tjetër nuk investon aq shumë për mbështetjen ushtarake dhe financiare të Ukrainës sa Gjermania tha Wadephul.
Ukraina feston 35-vjetorin e Pavarësisë
Wadephul ndodhet për herë të katërt në Ukrainë që nga marrja e detyrës si ministër para 16 muajsh. Vizita nuk ishte njoftuar publikisht për arsye sigurie. Në qendër të takimeve janë bisedimet me udhëheqjen ukrainase. Gjithashtu, do të diskutohet për sigurimin e furnizimeve gjatë dimrit dhe thellimin e bashkëpunimit gjermano-ukrainas në fushën e sigurisë.
Të hënën (24.08.) mbushen 35 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik. Me rastin e këtij përvjetori do të zhvillohen festime, kryesisht në kryeqytetin e vendit, Kiev./DW