BOTA, 21 August 2026, 20:06

Stuhi të fuqishme godasin Italinë, evakuohen qindra persona,përmbytje, rrëshqitje dheu dhe mijëra rrufe

Pas valëve të zgjatura të të nxehtit, Italia është përfshirë nga një mot i rënduar, me shira të dendur dhe stuhi që kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe përmbytje, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin evakuime në disa zona të vendit, raportojnë mediat italiane të premten.

Një kamping me rreth 250 turistë u evakuua të enjten në Luginën Brembana, në rajonin verior të Lombardisë, për shkak të përmbytjeve, njoftoi transmetuesi publik Rai News.

Ndërkohë, rajoni qendror i Toskanës u godit nga rreth 8 000 rrufe brenda dy orësh. Stuhitë shkaktuan gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike për rreth 6 000 banorë.

Sipas raportimeve, në orën 03:00 u lëshua një alarm portokalli për pjesën qendrore dhe lindore të rajonit të Ligurias, ku tashmë janë raportuar ndërprerjet e para si pasojë e reshjeve të dendura dhe rrebesheve.

Autoritetet kanë mbyllur përkohësisht autostradën Aurelia në zonën e Savonës, pranë urës mbi përroin Quiliano.

Edhe Brescia është një tjetër zonë veriore e goditur nga reshjet e dendura. Atje, 81 persona u evakuuan pas një rrëshqitjeje dheu që shkatërroi urën mbi përroin Val Rabbia.

Ndërkaq, në Luginën e Genova-s, një rrëshqitje dheu, së bashku me mbeturina me lartësi rreth dy metra, ka rrëshqitur poshtë rrjedhës së Malga Bedole, si pasojë e motit të ashpër që ka goditur Trentino-n.