BOTA, 22 August 2026, 09:25

“Dollar për dollar”/ SHBA vendos tarifën 50%, Kanadaja i përgjigjet Uashingtonit: Po vihet në pikëpyetje çdo marrëveshje mes nesh!

Një valë e re tarifash amerikane prej 50% ndaj një game të gjerë produktesh kanadeze ka hyrë në fuqi, pasi negociatat tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës dështuan në momentet e fundit.

Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi ndërprerjen e bisedimeve dhe paralajmëroi se Kanadaja do t’u përgjigjet masave amerikane me tarifa reciproke, “dollar për dollar”.

Carney deklaroi se ndryshimet e kërkuara nga pala amerikane në fund të negociatave ishin të padrejta dhe se ato kanë cenuar besueshmërinë e një marrëveshjeje të mundshme tregtare mes dy vendeve.

Negociatat kishin vazhduar intensivisht që prej korrikut, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump kishte kërcënuar me tarifa deri në 50% ndaj importeve kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë.

Trump kishte pezulluar përkohësisht disa prej tarifave gjatë javës, duke thënë se SHBA-ja dhe Kanadaja ishin pranë një marrëveshjeje. Megjithatë, pak para skadimit të afatit, Carney urdhëroi ekipin kanadez të negociatave të kthehej në Ottawa.

“Është bërë përparim i rëndësishëm, por ai nuk ishte i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat tona për kanadezët”, deklaroi Carney.

Përplasja mes dy palëve

Nga ana tjetër, përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, akuzoi Kanadanë se kishte refuzuar të finalizonte marrëveshjen sipas kushteve që ishin diskutuar gjatë javës.

Sipas tij, Uashingtoni kishte ofruar trajtimin më të favorshëm të mundshëm për eksportuesit kanadezë, por kërkesat e reja të Otavës dhe tërheqja nga disa angazhime kishin prishur marrëveshjen në negociatë.

Greer paralajmëroi se SHBA-ja nuk do të tolerojë kundër-tarifat kanadeze.

Çfarë mallrash preken?

Tarifat e reja amerikane prej 50% prekin një numër të konsiderueshëm produktesh kanadeze, mes tyre verën, produktet e qumështit, çimenton, veshmbathjet dhe pajisjet e hokejit.

Masat e reja i bashkohen tarifave që tashmë janë vendosur ndaj sektorëve të rëndësishëm si çeliku, alumini, automjetet dhe druri.

Gjatë negociatave ishte diskutuar ulja e tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin kanadez nga 50% në 25%, ndërsa tarifat për automjetet mund të zbrisnin nga 25% në 15%.

Në këmbim, Kanadaja kishte shqyrtuar disa kërkesa të Uashingtonit, përfshirë rikthimin e alkoolit amerikan në raftet e dyqaneve kanadeze.

Ottawa paralajmëron kundërmasa

Pas dështimit të negociatave, qeveria kanadeze sinjalizoi qartë se do të ndërmarrë masa kundër SHBA-së.

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, mbështeti një përgjigje të fortë ndaj tarifave amerikane.

“Tarifë për tarifë, dollar për dollar”, deklaroi Ford.

Përplasja e re tregtare mes dy vendeve ngre shqetësime për ekonomitë e të dyja palëve, pasi SHBA-ja dhe Kanadaja janë ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë të njëra-tjetrës.

Dhoma e Tregtisë e SHBA-së ka paralajmëruar se rritja e tarifave mund të sjellë rritje të kostove për konsumatorët amerikanë, dëmtim të zinxhirëve të furnizimit dhe rrezik për miliona vende pune të lidhura me tregtinë ndërkufitare.

Përplasja e fundit tregon se marrëdhëniet tregtare mes Uashingtonit dhe Otavës po hyjnë sërish në një fazë të tensionuar, ndërsa kërcënimi për një luftë më të gjerë tarifore mbetet i pranishëm.