TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nënkryetari i LSI-së Luan Rama përmes një mesazhi ka ngushëlluar për ndarjen nga jeta të politikanit dhe profesorit të njohur Sabit Brokaj.
Në një postim në rrjetet sociale, Luan Rama ka treguar edhe telefonatën e fundit që ka pasur me Brokajn si dhe planet e tyre për të udhëtuar në Lumin e Vlorës.
Po ashtu ai kujtoi edhe një këshillë të vyer që profesori i kishte dhënë se; “Nderimi për ata që iu falën atdheut, është amanet”.
POSTIMI:
Të ndrittë shpirti Profesor Sabit Brokaj!
Me telefonoi pak ditë më parë dhe e lamë që të shkonim bashkë në Drashovicë, në përkujtim të 77-vjetorit të luftës heroike të partizanëve të Labërisë që nisi më 14 shtator të vitit 1943, si vazhdim dhe kurorëzim i lavdishëm i Luftës së Vlorës së 1920-ës.
E mandej, do të udhëtonin nëpër Lumin e Vlorës, nëpër lumin e historisë e të luftërave për liri, një nga temat më të preferuara të bisedave tona të shpeshta, sidomos sa herë që shkonin në ato anë.
Mirëpo, vdekja na e mori Profesor Sabit Brokajn, duke na lënë të trishtuar dhe me dhimbjen e madhe të humbjes së një shoku e të një miku të veçantë!
E rëndë, e thekshme dhe e pamatë është dhimbja për familjen, për të afërmit, për shokët dhe miqtë e shumtë, për kolegët, për studentët, për pacientët, për të gjithë ata që e kanë njohur…
Por, i ndjerë dhe i pandryshuar do të jetë nderimi, mirënjohja, dhe respekti për Sabit Brokajn, për qytetarin e angazhuar dhe intelektualin kurajoz, për mjekun fjalëmbël e gjithnjë të gatshëm për të shërbyer me devocion shembullor, për politikanin e një lloji të veçantë dhe njeriun e mençur e burrin e Labërisë.
Unë do të shkoj i dashur Sabit e do ta vë edhe për ty një buqetë me lule në monumentin e Drashovicës, në portën e Labërisë.
Do të shkoj edhe në Brataj, për të cilin më flisje gjithnjë me aq dashuri. Do të shkoj edhe në Vlorë, në referencën e krenarisë tënde.
E nuk do ta harroj kurrë këshillën e vyer që më ke dhënë: nderimi për ata që iu falën atdheut, është amanet!
U prehsh në paqe mik i shtrenjtë!