AKTUALITET, 11 Tetor 2018, 20:01

‘Mund të kishte më shumë viktima’, zbulohet pse ndodhi vrasja në Mat

‘Mund të kishte më shumë viktima’, zbulohet pse

Kërkesa e Kujtim Koxhës, 51-vjeçarit që vrau tre persona në Mat ka qenë dhe motivi i konfliktit me punonjësit e bashkisë. Burime të sigurta nga policia raportuan për “BalkanWeb” se Koxha, aktualisht kryeplak i fshatit Shëlli të Matit iu kishte kërkuar punonjësve të Bashkisë t’i çonin rrugën deri tek shtëpia e tij.

Por punonjësit i janë përgjigjur se kishin një projekt para, të cilin duhet të zbatonin që me sa duket nuk e parashikonte rrugën deri në shtëpinë e kryeplakut. Ky ka qenë edhe momenti që mes 51-vjeçarit dhe punonjësve të bashkisë ka nisur sherri që solli më pas dhe masakrën.

Mësohet se Koxha ka hyrë në lokal më një automatik dhe dy karikatorë. Njërin e kishte në armë dhe tjetrin në xhep. “Kur ka hyrë një prej personave në lokal sa e ka parë, i ka kapur nga pas automatikun dhe ia ka ngritur lart. Nëse nuk do i kishte kapur armën, asnjë nuk do ishte gjallë. Ai na shpëtoi”, ka thënë një dëshmitar për gazetarin Enver Doçi.

Mësohet se në lokal në kohën e ngjarjes ndodheshin gjithsej 7 persona, pjesa më e madhe punonjës të bashkisë së Matit.

Mentor Hoxha, (i vrarë në vend) Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi (ndërruan jetë në spital) mbetën viktima të sulmit me armë. I plagosur është shtetasi Astrit Hani. Policia arrestoi autorin rreth dy orë pas ngjarjes, ndërkohë që familja e tij është marrë në mbrojtje për shkak të frikës nga një hakmarrje e mundshme nga familjet e tre viktimave.