AKTUALITET, 6 Nëntor 2018, 21:08

Monako merr një tjetër goditje, presidenti Ribolovlev arrestohet për korrupsion

Monako merr një tjetër goditje, presidenti Ribolovlev arrestohet

Monako po kalon ndoshta një ndër momentet më të errëta të viteve të fundit, teksa nisja e sezonit ka qenë totalisht katastrofik për francezët. Vendi i parafundit në kampionat dhe i fundit në Champions, pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga nisja e sezonit konfirmojnë krizën që po kalon ekipi nga principata.

Si të mos mjaftonin gjithë këto gjëra, ditën e sotme policia franceze ka arrestuar presidentin, Dimitri Ribolovlev. Sipas asaj që raporton “Le Monde” manjati rus është arrestuar me akuzën për korrupsion. Ribolovlev është arrestuar mëngjesin e sotëm dhe ende nuk është liruar, sipas asaj që bëjnë me dije në Francë.

Ribolovlev njihet si njeriu kryesor që kontribuoi në ngritjen e Monakos, ku ka bërë shpenzime të mëdha, si dhe ka arritur të fitojë titullin kampion në Francë një herë. Manjati rus erdhi në krye të klubit të Monakos në vitin 2011. Pasuria e 51-vjeçarit, sipas asaj që ka raportuar “Forbes” thuhet të jetë 7.3 miliard dollarë.