AKTUALITET, 6 November 2026, 16:32

Rama takim me përfaqësues të inspektorateve kryesore dhe të biznesit, kryeministri: Jo kontrolle për të ndëshkuar, por inspektime për të parandaluar

Rama takim me përfaqësues të inspektorateve kryesore dhe të

Në kuadër të edicionit të 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (TIF32), u zhvillua konferenca njëditore “INVEST & COMPLY IN ALBANIA, Inspektimi në shërbim të biznesit dhe investimeve”, me pjesëmarrjen e inspektorateve kryesore dhe përfaqësuesve të biznesit.

Aktiviteti, në të cilin mori pjesë edhe Kryeministri Rama, si dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj kishte si qëllim informimin e bizneseve të huaja dhe investitorëve potencialë mbi kuadrin ligjor, detyrimet, standardet dhe procedurat e inspektimit që duhen njohur për të zhvilluar aktivitetin e tyre në Shqipëri.

Konferenca u zhvillua në tre panele tematike, me fokus sigurinë ushqimore, mjedisin & klimën, si dhe marrëdhëniet e punës. Në diskutime morën pjesë përfaqësues të Inspektoratit të Përgjithshëm, drejtues dhe ekspertë të inspektorateve qendrore, si dhe përfaqësues të biznesit, të cilët trajtuan standardet e sigurisë ushqimore dhe gjurmueshmërisë, detyrimet mjedisore dhe investimet e qëndrueshme, si dhe sigurinë në punë, punësimin e të huajve dhe përgjegjësitë e punëdhënësve.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj bëri të ditur se gjatë vitit 2027 synohet ngritja e sistemit të ri të inspektimeve, përmes të cilit do të shmangen mbivendosjet, kontrollet e zgjatura dhe përsëritja e tyre te bizneset.

“Ne synojmë që të reduktojmë barrën e raportimit nëpërmjet këtij dialogu, të identifikojmë pikat problematike që biznesi ka në drejtim të ofrimit të shërbimeve, të analizojmë procedurat e inspektimit dhe të kuptojmë se si reforma mund të ndryshojë dhe se si puna e inspektorateve mund të përmirësohet me qëllim që t’i shërbejë atij objektivi që ne kemi, që bashkë me biznesin ne të punojmë për të pasur një konkurrencë më të drejtë, për të pasur disa procedura më të lehtësuara, për të mos pasur kosto të fshehura për biznesin, për të garantuar standarde të cilat pa diskutim do të jenë një avantazh për biznesin në momentin që ne do të hyjmë në tregun e përbashkët europian”, u shpreh ndër të tjera ajo.

Nga ana e tij, kryeministri Rama paralajmëroi nisjen e një cikli tryezash me sektorët dhe kategoritë e ndryshme të biznesit, për të dëgjuar drejtpërdrejt shqetësimet dhe propozimet e tyre për reduktimin e barrës burokratike.

“Sot ne jemi në një moment të transformimit tonë, ku qeveria ja doli të ulë TVSH-në për gjithë produktet e shportës, por edhe drejtpërdrejtë në çmimin e naftës në pompë. Mund të bëjmë një politikë të re të strehimit, mund të krijojmë hapësira të reja për çiftet e reja, mund të krijojmë hapësira të reja për studentët, mund të bëhemi si qeveri bashke financues të qirave. Kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i një ekonomie që rritet dhe një ekonomi që rritet është pasqyrë e një sipërmarrjeje që rritet, që përmirësohet dhe që krijon më shumë për të gjithë ne së bashku.

Ne do të nisim një cikël tryezash me të gjithë sektorët dhe me të gjitha kategoritë e sipërmarrjes për të marrë drejtpërdrejtë nga sipërmarrja shqetësime dhe ide për të ulur presionin e barrës së burokracisë.

Digjitalizimi i shpejtë dhe transformimi i shërbimeve apo i mënyrës së funksionimit të shtetit, në raport me qytetarin dhe anasjelltas duke përdorur dhe inteligjenca artificiale, na ndihmon shumë në atë që është një luftë e përditshme e të gjithëve me praktikat korruptive.
Qëllimi kryesor i Inspektoratit të Përgjithshëm dhe i të gjitha trupave inspektuese duhet të jetë parandalimi. Nuk është qëllimi ynë të kapim me patjetër në gabim biznesin. Qëllimi ynë është që biznesi të përmirësojë në vijimësi pozicionin e vet në raport me ato standarde që duhet të përmbushë.

Duhet të marrin fund kontrollet e befasishme. Për këtë arsye të gjithë inspektorët e Inspektoratit të Përgjithshëm së shpejti më në fund do të vishen me uniformë civile, me kostum, me kravatë. Të gjithë inspektorët dhe të gjitha inspektoret do kenë kamera inteligjente të trupit që do të jetë e lidhur në kohë reale me qendrën”, u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij, Kryeministri Rama.