BOTA, 1 September 2026, 21:22

Përshkallëzohen tensionet Berlin-Moskë/ Rusia paralajmëron Gjermaninë pas sanksioneve: Do të ketë kundërpërgjigje

Rusia ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve të vendosura nga Gjermania, pas tentativës së dështuar për një sulm me dron të ngarkuar me eksploziv në aeroportin e Leipzigut, deklaroi sot në mbrëmje zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Zakharova tha se përgjigjja e Moskës do të jetë “në të njëjtën mënyrë”, duke ndjekur të njëjtin parim, si në rastet e mëparshme të sanksioneve që Rusia i ka konsideruar të njëanshme dhe të padrejta.

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt dhe ministri i Jashtëm, Johann Wadephul e akuzuan Rusinë për përgjegjësi për incidentin me dronin dhe njoftuan masa ndëshkuese.

Wadephul deklaroi se konsullata ruse në Bon do të mbyllet dhe kontrata për institutin kulturor “Russian House” në Berlin do të ndërpritet.

Moska kishte paralajmëruar më herët se, nëse “Russian House” do të mbyllej, si kundërpërgjigje mund të kërkohej ndërprerja e aktivitetit të “Institutit Goethe.”

Zakharova akuzoi Gjermaninë se është e përfshirë në sulme terroriste kundër qytetarëve rusë.

Ajo e cilësoi Gjermaninë si vendin mbështetës më të madh të Ukrainës.

“Berlini sponsorizon terrorizmin”, tha ajo duke iu referuar furnizimit të Ukrainës me armë dhe ndihmës me vlerë miliarda.

Rusia mohon përfshirjen në incidentin e Leipzigut

Rusia ka mohuar përfshirjen në incidentin me dronin dhe e ka cilësuar atë si një provokim që, sipas Moskës, i shërben ekskluzivisht interesave të Kievit dhe krahut militarist të klasës politike evropiane.

Sipas një deklarate të mëparshme të ambasadës ruse në Berlin, Ukraina dhe qeveritë evropiane kanë nevojë për argumente për të vazhduar të dërgojnë burime të pakufizuara financiare në duart e një regjimi të korruptuar në Kiev.