AKTUALITET, 29 October 2026, 14:07

U plagos në sy gjatë protestës në Tiranë, Erion Vishkulli publikon foto nga Italia pas operacionit: Kur Zoti vendos të bëjë një mrekulli, asgjë s’është e pamundur

U plagos në sy gjatë protestës në Tiranë, Erion

“Kur Zoti vendos të bëjë një mrekulli, asgjë s’është e pamundur”. Ky është mesazhi që Erion Vishkulli ka ndarë nga Italia, ku po trajtohet pas plagosjes së rëndë në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë.

28-vjeçari nga Elbasani ka postuar një foto ku shfaqet me syrin e pafashuar, një ditë pas operacionit në klinikën “Gemelli” në Romë.

Vishkulli u plagos gjatë protestës nga një objekt që dyshohet të ketë qenë plumb gome. Fillimisht ai mori ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, ndërsa më pas u transferua në Itali.

Një ditë më parë, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila, sipas ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, përfundoi me sukses. Mjekët arritën të shpëtonin syrin, ndërsa rikuperimi i shikimit do të kërkojë kohë dhe trajtime të mëtejshme.

Për mjekimin e tij qeveria miratoi edhe një fond prej 5 mln lekësh.