AKTUALITET, 4 Dhjetor 2018, 15:29

Mediat greke akuzojnë Marin Memën si nxitës për prishjen e monumentit të antishqiptarit Thimio Loli

Mediat greke po e trajtojnë gjërësisht thyerjen e memorialit të Thimio Lolit në fshatin Krane të Bashkisë së Finiqit, në jug të Shqipërisë.

“Proto Thema” shkruan se “Krane ka hyrë në "objektivin" e nacionalistëve shqiptarë, jo vetëm për flamurin grek që valëvitet në sheshin qendror të fshatit - krahas flamujve të Shqipërisë dhe BE - por edhe për monumentin kushtuar Thimio Lolit, i konsideruar si një antishqiptar në Shqipëri.

“Deri tani, nuk ka asnjë reagim formal nga Ministria e Jashtme greke për sfidën e re të nacionalistëve shqiptarë, qëllimi i vetëm i të cilit është frikësimi i pakicës etnike greke në vendin fqinjë”, thekson gazeta helene.

Ajo konsideron gazetarin shqiptar Marin Mema, si nxitësin kryesor për gjithçka që ndodhi në Krane, i cili sipas “Proto Thema” është shpallur nga autoritetet greke si person ‘non grata’ në gjashtë vitet e fundit.

“Proto Thema” citon edhe një banor të fshatit Krane, që  u ankua se pas vrasjes së Kacifasit në Bularat, edhe ai kishte marrë një telefonatë anonime, ku sipas tij e kishin porositur të ishte i kujdesshëm, pasi mund të përfundonte edhe ai i vdekur.

/TPZ.AL/