TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Agim Xhafka
E bënë zakon qeveritarët tanë që ditët e fundvitit t’i kthejnë në reklamë për veten e tyre. Ndaj sulen drejt shtëpive të të vobektëve,drejt të sëmurëve,jetimëve,të verbërve,pleqve pa mbështetje dhe u lëshojnë ndër duar pako mbështjellë me letra plot ngjyra të praruara. Që të verbojnë sytë. E nuk mjaftohen me kaq,por marrin në krahë fëmijën e parë që u del,përqafojnë çdo të rritur që i pret te dera e broçkullisin para kamerave se për të mirën e njerëzve do bëjnë urën,do sjellin edhe lumin,do ndalojnë shiun,do ulin taksat,bile mund të na ulin edhe moshën në se ne ua kërkojmë.
Ndërkohë kamerat punojnë non stop e në ekrane na mbin buzëqeshja e shpifur e qeverisë lapërdhare. Perjashtim bën Majko që qesh edhe me kamera edhe pa ato.
Sa herë ndesh skena të tilla që duan të shesin rrenën si të vërtetë të kulluar,më kujtohet Nesti,shoku im i fëmijërisë. Mbaj mend që hypte shpesh në çati e rregullonte antenën e televizorit. Rrinte me orë ngulur bythën mbi tjegulla. Kur mendonte se në drejtimin që e vuri do të kapte dicka,bertiste:
-Po tani,mama?
Nga poshtë,prej katit të parë,përgjigjej Niqi,e ëma:
-Me miza,bir,me miza.
Por Nesti nuk zbriste. E çonte në drejtim tjetër antenën.
-Hë,po tani?
-Njësoj,me miza,me miza.
Pasi u lodh djali,një ditë babai pyeti Niqin:
-Po çfarë televizori keni xhanëm që nuk kap gjë?
Ajo qeshi e i tha te veshi:
-Po ku kemi televizor ne. Shet mend Nesti se te pallati përballë është një gocë që ai e pëlqen. Pandeh se do ia marrë mendjen me një antenë që e rrotullon majë çatisë.Hahaha,e unë i shkoj pas avazit,ç’të bëj?!
Ja që bota rrotullohet. Tani nuk hypën më Nesti në çati. Hypën krejt qeveria dhe me ca lodra e ca pula në qese pandeh se do punojë televizori i ekonomisë. Ndërkohë po pyetën familjet shqiptare do marrin përgjigjen:
-Të kap me miza,Edvin,me miza!