AKTUALITET, 11 Qershor 2019, 21:35

Mbi 365 mln lekë humbje shtetit shqiptar/ Arrestohet greku që drejtonte kompaninë "VIP" në Shkodër

Mbi 365 mln lekë humbje shtetit shqiptar/ Arrestohet greku që

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një shtetas grek që akuzohet t’i ketë shkaktuar humbje shtetit shqiptar.

Dimitrios Thomoglou rezulton administrator i kompanisë “General Impex”, me anë të së cilës ka përfituar 365 milionë lekë të reja, duke mos paguar taksat dhe duke fshehur të ardhurat.

Nga ana tjetër është vënë në pranga edhe shtetasi Kreshnik Mustafaraj.

Kurse për noterin me inicialet GJ.K., është dhënë masa e pezullimit të ushtrimit të detyrës.

Gjithashtu është dhënë masa e detyrimit paraqitje për Afrim Bicin, që rezulton administrator i një tjetër subjekti që ka fshehur të ardhurat.

General Impex merret me importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme.

Njoftimi i policisë Shkodër:

Finalizohet operacioni “Rimbursimi”

Operacioni nga Departamenti i Policisë Kriminale, DVP Shkodër dhe DVP Tiranë, në bashkëpunim me Hetimin Tatimor, nën drejtimin Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Shkodër.

Zbulohet një grup që kishte krijuar skema mashtrimi për përfitimin e tatimit të vlerës së shtuar (TVSH) në formë rimbursimi.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Departamenti i Policisë Kriminale në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Hetimin Tatimor Shkodër, në zbatim të urdhër arresteve të lëshuara, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit: K. M., 39 vjeç, banues në Tiranë (pronar i një firme tregtimi të miellit) dhe shpallja në kërkim e shtetasit grek D. Th., 46 vjeç, i cili i ka shitur firmën shtetasit K. M.

Nisur nga hetimet e bëra në harkun kohor prej tre muajsh, ka rezultuar se këta dy shtetas bënin regjistrim fiktiv të subjekteve tregtare duke krijuar skema mashtrimi me qëllim përfitimin e tatimit të vlerës së shtuar (TVSH) në formë rimbursimi, dhe duke mos paguar taksat dhe tatimet, kanë shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 248 994 420 lekë.

Gjithashtu është marrë masa e pezullimit të ushtrimit të funksioneve publike për shtetasin Gj. K., 36 vjeç me profesion noter dhe masa “Detyrim paraqitjeje” për shtetasin A. B., 52 vjeç, të dy si pjesë e skemës së mashtrimit të krijuar nga shtetasit e mësipërm.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”